Tiranë, 9 qershor 2011, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto hodhi poshtë hipotezën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, duke ripërsëritur se ato do të zhvillohen në vitin 2013.
I pyetur për vendimin e Kolegjit Zgjedhor për rezultatin për Tiranën, ministri Haxhinasto theksoi se “Tani është koha që politika të heshtë derisa gjykatat dhe institucionet të flasin për fituesin e zgjedhjeve të Tiranës”.
Ai tha se mazhoranca që drejton vendin është solide, gjë që sipas tij u tregua edhe në votën e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin britanik të Shtetit për Europën, David Lidington, zoti Haxhinasto tha se gjatë takimit folën për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, për të cilin Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqishëm Shqipërinë.
Gjithashtu Haxhinasto theksoi se të dyja palët janë tërësisht kundër tezave të hedhura nga disa politikanë serbë për ndarjen e territoreve të Kosovës.
Haxhinasto nënvizoi se integriteti i territoreve të Kosovës është i paprekshëm.
Ministri i Punëve të Jashtme njoftoi se gjatë takimit me ministrin britanik të Shtetit për Europën David Lidington folën edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
mit/NOA