Tiranë, 9 qershor 2011, NOA – Kuvendi i Shqipërisë pritet të diskutojë sot në seancë plenare për privatizimin e katër HEC-eve. Gjatë seancës plenare ku do të flasë edhe kryeministri Sali Berisha do të diskutohet mbi projektligjin për krijimin e katër shoqërive të hidrocentraleve përkatësisht atë Ulëz-Shkopet, “Tiranë-Lanabregas”, “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”.
Por, duke marrë në referencë bojkotin e parlamentit nga opozita, pritet që bojkotin ta thyejnë dy deputetët socialistë të mendimit ndryshe, Kastriot Islami dhe Andis Harasani, siç ndodhi në dy seancat e shkuara.
Ndërkohë sot nënkryetari i grupit kuvendor socialist Erion Braçe i bëri thirrje opozitës që të rikthehet në Kuvend, pasi sipas tij sot nuk do të privatizohen HEC-et, por do të shpronësohen qytetarët shqiptarë.
Deputeti Braçe thotë në mesazhin e tij se mosmbledhja e grupit parlamentar për të vendosur për rikthimin e opozitës në kuvend është një gabim i përsëritur shpesh.
Ai i bëri thirrje deputetëve të opozitës të rikthehen në kuvend për t’u angazhuar për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Sipas Braçes me miratimin e projektligjit për privatizimin e katër HEC-eve do të bëhet shpronësimi i pronës publike.
Por, ende nuk dihet nëse deputetët e opozitës do të rikthehen sot në kuvend, pasi një ditë më parë nuk u mbajt as mbledhja e grupit kuvendor, që pritej të vendoste rikthimin apo vijimin e bojkotit.
mit/NOA