Tiranë, 9 qershor 2011, NOA – Pas takimit të parë dhe konferencës për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhionasto, Ministri Britanik i Shtetit për Europën, David Lidington u takua edhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha.
Para pak momentesh ministri Lidington hyri në selinë rozë ku po zhvillon një takim me liderin e opozitës Edi Rama.
Mandej Lidington do të takohet edhe me kryeprokuroren Ina Rama.
Lajtmotiv i takimeve është situata politika në vend, përmbushja e reformave për integrimin në BE si dhe sundimi i ligjit.
Lidington më herët i bëri thirrje liderëve të politikës shqiptare të kapërcejnë ngërçin politik dhe të marrin masa për vendosjen e dialogut politik në të mirë të përshpejtimit të procesit të integrimit në BE.
Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve nuk është aq i rëndësishëm sa është e rëndësishme një qeveri kushtetuese dhe një opozitë kushtetuese.
Pritet që si Presidenca, kryeministria por edhe selia rozë të zbardhin atë ç’ka është biseduar me dyer të mbyllura mes krerëve të politikës shqiptare dhe ministrit britanik të Shtetit për Europën, David Lidington, i cili mbërriti në Tiranë për të diskutuar mbi situatën politike në vend.
Në fund të takimeve ministri britanik David Lidington do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 12.15.
mit/NOA