Shkup, 9 qershor 2011, NOA- Koalicioni i partive i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka harxhuar 4,4 milion euro për fushatën zgjedhore, ndërsa partia shqiptare BDI vetëm 63 mijë euro.
Në vend të dytë sa i përket mjeteve të harxhuara për fushatën në Maqedoni, është Lidhja Social Demokrate me 285 mijë euro, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka harxhuar vetëm 44 mijë euro. Mundësia ligjore për harxhimin e mjeteve financiare apo limiti i lejuar është 5,4 milion euro.
Këto shifra të prezantuara janë dorëzuara nga ana e partive politike pranë Komisionit Antikorrupsion. Pjesa më e madhe e parave të partisë në pushtet VMRO-DPMNE ishin nga donacionet, ndërsa LSDM opozitare paratë i kishte siguruar nga një kredi nga Banka Komerciale.
BDI, PDSH, PODEM dhe koalicioni i partive me VMRO-DPMNE ka harxhuar më shumë para nga llogaria, nga shuma që e kanë pranuar nga të hyrat e reja për fushatë.
Partitë politike raportin përfundimtar do të duhet ta dorëzojnë 15 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve, ndërsa raporti preliminar ishte dorëzuar në ditën e 11 të fushatës, ashtu siç është paraparë me Kodin Zgjedhor. Nuk dihen të dhënat e partive të tjera opozitare, të cilat gjithashtu janë dorëzuar pranë Komisionit Shtetëror Antikorrupsion.
(INA)/NOA