Nju Jork, 9 qershor 2011, NOA – Vijon të shtrëngohet sulmi ushtarak i regjimit të presidentit sirian Bashar al Assad, i cili është në krye të pushtetit prej afro gjysmë shekulli, kundër njërës prej epiqendrave të protestave popullore në zonën e Verilindjes së vendit në kufi me Turqinë, ndërkohë që sonte në mbrëmje do të diskutohet në Këshillin e Sigurisë në OKB një paketë për zgjidhjen e situatës e përgatitur nga Franca dhe Britania e Madhe dhe e mbështetur nga Kina dhe Rusia.
Paketa është përgatitur nga Londra, dhe është prezantuar në emër të vendeve evropiane anëtarë të Këshillit të Sigurimit Britania e Madhe, Franca, Gjermania e Portugalia.
Propozimi për zgjidhjen e situatës, i cili do të analizohet në KS kërkon në veçanti dhënien fund të dhunës e garantimin e hapjes së Sirisë ndaj prurjes së ndihmave humanitare.
Ndërkohë kjo paketë ngërthen edhe nisjen e reformave politike e një hetim të paanshëm të ngjarjeve.
Sipas televizionit Al Jazira në këtë paketë nuk janë përfshirë hipotezat dhe akuzat për krime ndaj njerëzimit.
Ndërkohë në provincën turke Hatay, në kufi me rajonin sirian Idlib janë dyndur qindra refugjatë, disa syresh të plagosur nga qyteti Jisr ash Shughur, një qytet me rreth 40000 banorë sunitë, i cili u bë nga e premtja e shkuar e në javët e mëparshme skena e demonstratave masive kundër pushtetit autokratik të presidenti alawit Bashar al Assad.
mit/NOA