English

Kurti: Vetëvendosje organizatë e fuqishme, diferenca demokracia e drejtpërdrejtë

Gjakovë, 10 qershor 2011, NOA- Gjatë pasdites së djeshme lëvizja Vetëvendosje mbajti zgjedhjet e brendshme të saj në qendrën e Gjakovës për organizimin e saj.

Nën drejtimin e saj përveç delegatëve, të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe aktivistët Albin Kurti, Shpend Ahmeti si dhe të ftuar të tjerë ndër ta edhe përfaqësues të Lëvizjes për drejtësi të Shqiptarëve, LDSH nga Tirana, si dhe përfaqësues nga shoqata e intelektualëve të Gjakovës “Jakova”.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti deklaroi se, statuti i Lëvizjes Vetëvendosje në dallim nga partitë politike në Kosovë, përpos demokracisë përfaqësuese ka vënë theks të veçantë në demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Përderisa demokracia përfaqësuese garanton që shumica do të jetë e përfaqësuar nga delegatët, demokracia e drejtpërdrejtë garanton që shumica do të jetë pjesëmarrëse në vendimmarrje”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se, programi i Vetëvendosjes është i drejtë, dhe se aktivistët e Vetëvendosjes janë njerëz të drejtë, të cilët duke u bazuar në këtë program të drejtë do të ecin drejt.

Sipas tij, prej këtyre zgjedhjeve të brendshme, Vetëvendosje duhet të dalë me një organizatë të fuqishme, dhe vëllimin e aktivistëve të saj gjithandej nëpër Kosovë, ta shndërrojmë edhe në cilësi që reflektohet në forcën goditëse të strukturave të saj.

a.y/NOA

KOMENTE