English

Mbi 450 qytetarë maqedonas gjatë vitit 2011 kanë kërkuar azil në Belgjikë

Bruksel, 10 qershor 2011, NOA- Nga fillimi i këtij viti mbi 450 shtetas të Maqedonisë kanë kërkuar statusin e azilit në Belgjikë, bëri të ditur Ministria e Emigracionit në Bruksel.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit maj të këtij viti kanë vazhduar kërkesat dhe se gjatë këtij muaji janë regjistruar 91 kërkesa për azil. Maqedonia gjatë muajit maj ka qenë në vendin e shtatë sa i përket radhitjes së shteteve që shtetasit e tyre kërkojnë strehim azili.

Nga të gjitha këto kërkesa, gati se tërë kërkuesit me familjet e tyre janë refuzuar dhe janë kthyer në vendlindje apo janë larguar nga Belgjika, ndërsa vetëm një shtetas ka arritur që ta sigurojë statusin e azilit.

Sekretari shtetëror i emigracionit, Malshior Vatle deklaroi se ka rreziqe për rikthimin e sërishëm të regjimit të vizave për Maqedoninë dhe Serbinë.

“Ka rreziqe, dhe kjo është shumë e qartë. Kemi kërkuar monitorim, por ekzistojnë një numër i madh i kushteve që ishin plotësuar në vitin 2009, ndërsa tanimë ato nuk po plotësohen, sidomos në Maqedoni. Ne kemi edhe më tej më shumë se qindra raste në nivel të Belgjikës, me ç`rast statusi i azilit i është pranuar vetëm një personi”, deklaroi Vatle.

(INA)/NOA

KOMENTE