Tiranë, 10 qershor 2011, NOA- Në emër të Partisë Demokratike Jorida Tabaku e zgjedhur si këshilltare bashkiake për Tiranën deklaroi pas fjalës së mbajtur për mediat nga kryetari i Partisë Socialiste se, integrimi Europian i Shqipërisë nuk varet nga dëshirat politike të Edi Ramës.
Sipas saj integrimit europian të Shqipërisë i shërben ndjekja e procesit ligjor, me qetësi, maturi dhe respekt ndaj ligjit.
Ligji dhe procesi demokratik, është e ardhmja europiane e Shqipërisë deklaroi Tabaku, duke shtuar se, rruga e kërcënimeve dhe presioni politik nuk e ndihmon procesin.
“Kolegji Zgjedhor ka folur dhe vendimi i KQZ ka qenë i ligjshëm. Këto çështje janë zgjidhur. Pse vazhdon ende z. Rama të spekulojë për këtë temë? Tentativat e z. Rama për të sabotuar demokracinë shqiptare me kërcënime dhe presione, janë të papërshtatshme. Shqiptarët e dinë se lufta politike e z. Rama i përket të kaluarës, ndërkohë që qytetarët e këtij vendi duan të ardhmen”, u shpreh Tabaku.
Më tej ajo theksoi se komuniteti ndërkombëtar ka folur qartë, ai ka mbështetur Kolegjin Zgjedhor dhe i ka kërkuar të marrë vendime bazuar në ligj dhe jo në interesa politike.
Në mbyllje në emër të selisë blu, Tabaku deklaroi se, dëshpërimi i Ramës dhe agresiviteti i retorikës së tij, po tentojnë të errësojnë të vërtetën e drejtë të demokracisë.
a.y/NOA