English

“Shkruajmë bukur shqipen tonë", vlerësohen më të mirët

Tiranë, 10 qershor 2011 NOA- ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë finalizuar konkursin e shpallur disa muaj më parë “Shkruajmë Bukur Shqipen Tonë”, ku protagonistë ishin nxënësit e grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Në këtë konkurs, ku patën mundësi të marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, juria përzgjodhi 4 fitues, Kristina Troka (nga Korça), Kevin Hoxha (nga Tirana), Klaudia Koxha (nga Tirana) dhe Suada Kura (nga Durrësi). Dy çmime nga 500 Euro secili, u dhanë për dy nxënës nga shkollat 9 -vjeçare dhe dy çmime të tjera po nga 500 Euro secili, për nxënësit nga shkollat e mesme.

Shpërndarja e dhuratave për fituesit e këtij projektit është bërë gjatë një ceremonie, ku kanë qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile z. Orhan Coskun, Drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit z. Fatmir Vejsiu, znj. Pranvera Kamani inspektore e MASH, 5 anëtarët e jurisë që vlerësuan krijimtaritë e më shumë se 200 nxënësve, si dhe drejtues të lartë të dy kompanive.

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coskun në fjalën e tij tha se “Gjuha është një komponent i rëndësishmë për nxënësit dhe njeriun, pasi mbi të gjitha përmes gjuhës njeriu shpreh në mënyrën më të mirë veten. Të gjitha marrëdhëniet nisin me gjuhën. Edhe një luftë nis dhe ndalon përmes gjuhës”.

Ndërkohë Drejtori i Arsimit Parauniversitar z. Fatmir Vejsiu, duke falënderuar ALBtelecom dhe Eagle Mobile tha se mbështetja e aktiviteteve të kësaj natyre janë një kontribut i vyer në lëvrimin e gjuhës amtare dhe përgatitjen e të rinjve. Projekti “Shkruajmë Bukur Shqipen Tonë”, që është pjesë e nismës vjetore të shpallur nga kompania Eagle Mobile “Dorë për Dore me Arsimin”, ka bërë që nxënës nga gjithë Shqipëria dhe rajoni të dërgojnë krijimet e tyre në prozë ose poezi.

KOMENTE