Tiranë, 11 qershor 2011 NOA- “Çdo shqiptar ka një ëndërr ‘Shqipëria, vend i zhvilluar’, i cili është vërtet një objektiv i vështirë, por i arritshëm”. Kështu u shpreh kryeministri Berisha gjatë ceremonisë së organizuar prej tij për 46-vjetorin e Bordit dhe Këshillit Administrativ të Bankës për Zhvillim të KiE. Sipas tij, shqiptarët po bëjnë gjithçka për ta realizuar këtë qëllim dhe janë të bindur se në këtë vend ekzistojnë të gjitha potencialet pasurore dhe njerëzore për ta arritur atë.
Fjala e kryeministrit Berisha gjatë pritjes për 46-vjetorin e Bordit dhe Këshillit Administrativ të Bankës për Zhvillim
“Është një privilegj i madh për mua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, të falendroj edhe një herë Guvernatorin Raphaël Alomar, zonjën Alomar, anëtarët e Bordit dhe të Këshillit Administrativ, përfaqësuesit e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, anëtare të Bankës, për përzgjedhjen që i bënë Tiranës për mbledhjen e tyre vjetor.
Shfrytëzoj këtë rast për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë Bordit dhe Bankës, Guvernatorit Alomar, për mbështetjen e madhe dhe ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë në këto vite transformimesh të mëdha. Bashkëpunimi i vendit tim me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Europës nuk ka faturën më të madhe financiare, por është nga më të shkëlqyerit. Është një bashkëpunim i vërtetë suksesi. Financimet e Bankës arrijnë rreth 130 milionë euro dhe janë të adresuara në fushat më të rëndësishme, në sistemin arsimor, sistemin shëndetësor, në zhvillimin e qëndrueshëm rural, infrastrukturë, luftën kundër varfërisë. Të gjitha projektet kanë njohur zhvillime të suksesshme. Unë pata rastin t’i pohoj Guvernatorit Alomar konstatimin e bashkëpunëtorëve të mij: Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës është një nga institucionet më eficente në bashkëpunimin me Shqipërinë dhe më pak burokratike. Disbursimet në projekte kanë njohur shpejtësitë më të mëdha të mundshme. Fushat e mbuluara kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme. Përzgjedhja e tyre ka qenë rezultat i një dialogu të frytshëm, konstruktiv, midis autoriteteve shqiptare dhe bankës. Shqipëria llogarit shumë në bashkëpunimin e ardhshëm me Bankën. Sukseset e tanishme bëjnë të mundur një horizont të ri bashkëpunimi.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria përballet me një seri problemesh, pasi trashëgimia e saj ka qenë më e vështira dhe në shumë aspekte jashtë imagjinatës. Diktatura shkatërroi këtë vend më shumë se çdo luftë mund të ketë shkatërruar një vend. 20 vjet më parë të ardhurat për frymë në këtë vend ishin gjithsej 204 dollarë. Por këto kanë qenë vite transformimesh të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Një vit më parë të ardhurat për frymë ishin rreth 7400 dollarë. Shqipëria u shkëput nga grupi i vendeve me të ardhura të ulta të mesme dhe sot renditet në grupin e vendeve më të ardhura të mesme të larta. Çdo shqiptar ka një ëndërr: Shqipëria vend i zhvilluar! Shqipëria vend i zhvilluar është sërish një objektiv ambicioz dhe i vështirë, por absolutisht i mundshëm. Ne po bëjmë gjithçka për të realizuar këtë qëllim. Ne jemi të bindur se në këtë vend ekzistojnë të gjitha potencialet, së pari njerëzore, por më pas dhe natyrore e të gjithanshme, për të arritur këtë qëllim. Këto kanë qenë vite të një krize të thellë për Europën dhe botën. Ekonomia shqiptare nuk njohu recesion. Modeli ynë ekonomik funksionoi. Ky model bazohet në qeveri të vogël. Sektori publik në vend është 50 përqind më i vogël se në çdo vend tjetër në rajon. Modeli ynë bazohet në taksa të ulëta. Shqipëria është vendi me ngarkesën fiskale më të ulët në Europë. Ky model bazohet në investime të mëdha.
Në vitin 2008 – 2009 qeveria ime ka investuar 10 përqind të GDP-së vetëm në rrugë.
Ne po punojmë shumë, me një reformë të thellë, në sistemin arsimor me qëllim që t’i përgjigjet ambicies së shqiptarëve për Shqipërinë vend i zhvilluar. Në 2-3 vitet që vijnë ne do të kemi rrjetin rrugor më të ri dhe më modern në rajon. Në 5 vjet ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 8 mijë kilometra rrugë. Janë edhe 5 mijë kilometra të tjera, por që ne do t’i përfundojmë në 2-3 vitet që do të vijnë. Qytetarët e këtij vendi do të mund të arrijnë në Tiranë për më pak se 50 përqind të kohës që kanë shpenzuar më parë.
Shqipëria është një vend shumë i pasur me burime natyrore. Ajo është një Norvegji e vogël në rajon, për sa i përket burimeve ujore. Në lumenjtë e saj janë për t’u ndërtuar rreth 444 hidrocentrale të mesme e të vogla. Qeveria ka firmosur kontratën për 220 hidrocentrale në sektorin privat. Kur fluturon mbi këtë vend të duket se je mbi një Zvicër me det. Vendi im ka dy herë lartësinë mesatare të Europës dhe ka një vijë bregdetare shumë të bukur, rreth 400 kilometra. Një punë e jashtëzakonshme duhet bërë për ta shndërruar atë në një ndër vendet më të zhvilluara. Potenciali i saj turistik është i jashtëzakonshëm. Nga 300 mijë turistë e vizitorë që priti në vitin 2004, ka pritur 3.5 milionë turistë e vizitorë në vitin 2010.
Toka bujqësore për frymë në Shqipëri është e paktë, por është një tokë shumë pjellore. Është tokë e një cilësie shumë të lartë, plot ujë dhe dritë. Malet e saj kanë një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Në gjirin e tyre mbartin rezerva botërore të kromit, bakrit, hekurit, nikelit dhe mineraleve të tjera. Nafta shqiptare po vjen sërish në skenë.
Në gjithë këtë përpjekje tonën mbështetja e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës është për ne e një rëndësie shumë të madhe. Shpresoj që ky takim në Tiranë ju ka krijuar mundësinë të njiheni pak më mirë me këtë vend. Unë shoh me interes të madh që bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me Guvernatorin Alomar të vazhdojmë ta konsolidojmë me Guvernatorin e ri”
a.q/NOA