Tiranë, 11 qershor 2011, NOA - Greqia ka njoftuar një program kërkimesh të naftës dhe gazit në Detin Jon, në zonën detare të Korfuzit, ishullit fqinj me Shqipërinë.
Lajmin e bëri publik sot sesioni shqip i agjencisë së lajmeve “Zëri i Amerikës”.
Sipas VOA-s vitin e ardhshëm në programin e kërkimeve në këtë zonë detare pritet të përfshihen Kompani Ndërkombëtare.
Ndërkohë lajmi vjen ndërkohë kur Greqia dhe Shqipëria nuk kanë arritur ende të finalizojnë një marrëveshje për kufijtë detarë mes të dy vendeve.
Por, lidhur me këtë lajm ka reaguar Aleanca Kuqezi, e cila i bëri apel institucioneve shqiptare që të reagojnë për këtë rast, në mbrojtje të integritetit territorial të Shqipërisë.
Aleanca Kuqezi shpreh qëndrimin e prerë kundër nisjes së kërkimeve për naftë dhe gaz në detin Jon, pa përcaktuar më parë kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Përfaqësues të Aleancës Kuqezi kërkuan që institucionet shqiptare të hetojnë këto kërkime që shteti grek synon të ndërmarrë në afërsi të bregdetit shqiptar si dhe të garantojnë që i gjithë ky proces të jetë transparent.
Sipas Aleancës Kuqezi ekziston shqetësimi që këto kërkime mund të zhvillohen edhe në ujërat shqiptare, duke cënuar kështu sovranitetin shtetëror shqiptar.
“Aleanca Kuqezi shprehu gjithashtu qëndrimin se kufijtë detarë duhet të përcaktohen sipas standardeve evropiane, bazuar në të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare dhe në asnjë mënyrë në shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë”, deklaroi sot Aleanca Kuqezi.
Më herët ky program ishte publikuar në gazetën greke “To Vima”, që i referohej për këtë projekt burimeve të Ministrisë së Mjedisit të shtetit helen.
Nisja e këtij projekti pa u miratuar më parë një marrëveshje për kufijtë detarë mund të arrijë të cënojë ujërat shqiptare.
Kjo për shkak se marrëveshja për delimitimin e zonave detare në bazë të së drejtës ndërkombëtare e nënshkruar nga dy homologët e Jashtëm shqiptarë e grekë në vitin 2009, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese vitin e shkuar pasi shkelte disa nene të Kushtetutës Shqiptare për integritetin e ujërave detarë të Shqipërisë.
mit/NOA