English

Kosova, 12 vjet në liri, festa nis nga Prishtina

Prishtinë, 11 qershor 2011 NOA- Çlirimi i Prishtinës, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, 12 vjet më parë, shënoi fundin e suksesshëm të një epoke të gjatë të përpjekjeve të kosovarëve për liri, demokraci dhe demokraci, vlerësoi presidentja e Kosovës, Atifete Jajhjaga. Në një ceremoni të organizuar nga komuna e Prishtinës, me të cilën u shënua 12-vjetori i çlirimit të kryeqytetit kosovar, presidentja Jahjaga tha se liria e Kosovës ishte rezultat i lëvizjes së gjatë aktive paqësore, që simbolizohet me ideologun dhe arkitektin e platformës së pavarësisë, presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, si dhe rezistencës së armatosur që identifikohet me Adem Jasharin, që në Kosovë njihet si komandant legjendar i ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “E kaluara jonë shërben si kujtesë që ta ndërtojmë të ardhmen, duke pasur në mendje se ne jemi vazhdimësi e atyre veprimtarëve, intelektualëve, luftëtarëve, të atyre brezave që me punën e tyre na mundësuan që ne sot të jemi këtu, që të ndërtojmë shtetin demokratik të Kosovës, të jemi faktor i respektuar dhe të kemi miq ndërkombëtarë”, tha Jahjaga. Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, falënderoi të gjithë ata që sakrifikuar dhe kontribuar për çlirimin e Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi. “Në nderim të kësaj dite të madhe i kujtojmë dhe respektojmë të gjithë ata që ranë dhe punuan për liri. I falënderojmë miqtë tanë perëndimorë, forcat e NATO-s, të KFOR-it dhe mekanizmat ndërkombëtarë që na ndihmuan dhe janë duke na ndihmuar që Kosova të jetë jo vetëm shtet i lirë, por të jetë një shtet i zhvilluar, modern dhe të jetë një shtet i integruar në Bashkimin Evropian”, u shpreh Mustafa.

Më 11 qershor, 12 vjet më parë, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin depërtuar në kryeqytetin kosovar, në natën që trupat ruse kishin marrë aeroportin e Prishtinës. a.q/NOA

KOMENTE