English

Në pritje të Kolegjit....PS mbush 20 vjeç (Pa Nanon)

Tiranë, 11 qershor 2011 NOA- Një ditë përpara se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin e fundit, sa i takon garës së gjate për Tiranën, socialistët do të mblidhen për të festuar 20 vjetorin e partisë më të madhe në opozitë.

“Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, kam kënaqësinë t’ju ftoj në ceremoninë festive, që do të organizohet ditën e diel, më datë 12 qershor, ora 19:00, në hotel “Sheraton”. Ky është mbishkrimi që kryetari, i cili prej 6 vjetësh drejton PS-në, Edi Rama, ka lënë në ftesat që kanë nisur të shpërndahen prej dy ditësh tek të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare dhe drejtues në të gjitha nivelet të PS-së. Një grup i posaçëm, që po merret me organizimin e ceremonisë së të dielës ka telefonuar çdo të ftuar, për t’i komunikuar se 20-vjetori i PS-së do të kujtohet, pavarësisht situatës së ngarkuar politike. Burimet nga PS-ja bënë të ditur se në fillim të ceremonisë do të ketë një fjalë përshëndetëse nga kryetari Edi Rama, sigurisht lidhur edhe me zhvillimet e fundit politike dhe më pas, socialistët do të trokasin gotat e urojnë njeri-tjetrin për festën e partisë, por edhe për një fat të mbarë, të nesërmen që vjen, kur diskutohet mandati i kreut të Bashkisë së Tiranës, në Kolegjin Zgjedhor. Të ftuar janë edhe aleatët e PS-së, me të cilët ndau betejën zgjedhore, por edhe ish-themelues të partisë, figura të vjetra, si: Servet Pëllumbi, Dritëro Agolli, Rexhep Meidani etj.

Rama “harron” sërish Nanon

Ish-kryetari i parë Fatos Nano, nuk është ftuar në 20 -vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. Si selia rozë ashtu edhe vetë Nano kanë mohuar ekzistencën e një ftese për liderin historik të socialistëve.

Burime nga PS-ja bënë të ditur se nuk ka asnjë ftesë të nisur në adresë të zotit Nano, ndërkohë që edhe njerëz të afërt të ish-kryetarit kanë konfirmuar faktin se zotit Nano nuk i ka ardhur asnjë lloj ftese për festën e organizuar për të dielën. Kjo nuk është hera e parë që pas largimit nga drejtimi i PS që zoti Nano mbetet jashtë listës së të ftuarve. Ish kryeministri nuk ishte në listën e të ftuarve as në festën qe u organizua një vit më parë në qytetin e Lezhës.

a.q/NOA

KOMENTE