English

Hoxhaj: Serbia po përpiqet të dëmtoj sovranitetin e Kosovës

Berlin, 12 qershor 2011, NOA- Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj deklaron se idetë e Presidentit Serb Boris Tadiç janë kundër vlerave europiane.

“Ajo çka ai thotë është në kundërshtim me çdo gjë që simbolizon Europën. Krijimi i shteteve monoetnike, lëvizja e kufijve, ndërrimi i territoreve, të gjitha këto janë shumë të rrezikshme. Kufijtë e Ballkanit qëndrojnë. Kosova është produkti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ky fakt tani njihet nga 76 shtete anëtare të OKB-së”, është shprehur Hoxhaj.

Këtë deklaratë kreu i diplomacisë kosovare e dha gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, ku ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Ndërsa rreth çështjes së veriut të Kosovës, ai ka thënë se në kohën prej 2005 deri në 2007 nën udhëheqjen e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari, në Vjenë u zhvilluan negociatat, esenca e të cilave ishte mbrojtja sa më e mirë e pakicave etnike në Kosovë. Rezultati apo zgjidhjet kosovare për integrimin e pakicave, sipas tij, kanë karakter modeli për të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Në veri të Kosovës më shumë është çështje e sundimit të ligjit. Në këtë pjesë qysh gjatë kohës së administrimit nga institucionet e UNMIK-ut, u krijuan struktura ilegale të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Zgjidhja për veriun është tashmë e njohur dhe kjo është zbatimi i planit të Ahtisaarit. Kushtetuta e vendit duhet të zbatohet edhe në këtë pjesë të Kosovës”, deklaroi Hoxhaj.

Lidhur me anëtarësimin në strukturat evropiane ministri i Jashtëm i Kosovës theksoi se, Serbia po përpiqet që ta izoloj këtë proces dhe ta paralizoj zhvillimin në mënyrë që të dëmtoj sovranitetin e shtetit të Kosovës.

a.y/NOA

KOMENTE