English

Kapen 70 kg hashash në kufi me Greqinë, arrestohen dy persona

Gjirokastër, 12 qershor, NOA – Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Arrestimi i tyre është bërë gjatë një operacioni të policisë së Gjirokastrës dhe asaj kufitare ku u sekuestrua 70 kilogramë hashash që po transportohej drejt Greqisë.

Personat e arrestuar janë; Aleksandër Veshi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër dhe Gazmend Demushi, i datëlindjes 20 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, Student në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, në degën anglisht, vitit i parë.

Operacioni i policisë ka nisur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00. Fillimisht kanë qenë forcat e ruajtjes së kufirit ato që kanë sinjalizuar për katër persona, që po udhëtonin në vendin e quajtur Gryka e Bogazit me çanta në shpinë, të cilat dyshoheshin se ishin hashash.

Menjëherë ka nisur operacioni i policisë kufitare. Nga kontrolli i zonës, në fshatin Peshkëpi e Sipërme, në një Punishte Guroreje është gjetur dhe një automjet tip “Rover” me targa AC 723 PX, me të cilin ishte bërë transportimi i lëndës narkotike deri në afërsi të kufirit.

Ndërkohë që forcat e policisë u janë afruar katër personave që ishin drejtuar për në Greqi. Me të pikasur forcat e policisë të katër personat janë larguar me vrap. Forcat e rendit kanë arritur të arrestojë vetëm dy prej tyre. Ndërsa dy të tjerët janë identifikuar nga policia dhe janë shpallur në kërkim.

Sipas policisë, Aleksandër Veshi që është edhe drejtuesi i automjetit tip “Rover” që ka bërë transportimin e lëndës narkotike. Sipas policisë, lënda narkotike është marrë në Lazarat.

a.k.NOA

KOMENTE