Tiranë, 12 qershor 2011, NOA- Gjatë ditës së nesërme Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e Komunikimit Genc Pollo dhe Drejtori për USAID në Shqipëri, zoti Xhozef Uilliams do të marrin pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit për Sigurinë Kibernetike në vend.
Kjo siguri për vendin tonë lind si domosdoshmëri për shkak të rritjes së teknologjisë kompjuterike dhe dixhitalizimit dhe lidhur me sulmet kibernetike kompani të ndryshme në botë kanë punësuar detektivë për ruajtjen e të dhënave.
Vetëm pak ditë më parë duke folur tek Takimi Botëror për Sigurinë Kibernetike në Londër, kreu i grupit BT Majkëll Rejk i tha zyrtarëve qeveritarë dhe krerëve të bizneseve nga e gjithë bota se sulmet kibernetike mund ta gjunjëzojnë një vend pa nevojën e veprimeve ushtarake.
Sipas tij është shumë e rëndësishme që qeveritë dhe bizneset të kenë nivel më të lartë ndërgjegjësimi në lidhje me sigurinë dhe sulmet kibernetike.
Ai tha se këto lloj sulmesh po zhvillohen kaq shpejt, prandaj nevojitet një traktat për mospërhapjen e teknologjisë kibernetike për të kontrolluar, siç tha ai, garën e armëve të shekullit 21.
Ndërkohë në vendin tonë janë hartuar rregulla për programet televizive të adoptuara nga KKRT dhe pritet adoptimi i këtyre rregullave për mjedisin online.
Në vijimësi ministri Pollo lidhur me këtë projekt është shprehur se, “Parimi kryesor i ligjit mbi mbrojtjen e të dhënave kryesore, është që të gjithë që përpunojnë të dhëna personale të marrin sigurie të tilla që të mos rrezikojnë këto të dhëna”.
Sipas tij, lidhur me krimin kibernetik sektori privat, furnizuesit me internet, duhet të luajnë rolin e vet, që është një rol plotësuesit përmes nënshkrimit të kodit të mirësjelljes dhe memorandumeve të mirëkuptimit.
a.y/NOA