Nga Edmond Tupja
Ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste thërret, ushton e gjëmon “Shpëtoni Shqipërinë nga Berisha!”, ndërkohë që ai, në një letër të hapur drejtuar shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë (sipas stilit të Partisë së Punës), i kërcënon duke kërcëllitur dhëmbët se ata do të kenë pasoja sikur ai të mos zgjidhet për të katërtën herë radhazi kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që, prej gati dy vjetësh, ai sfidon edhe faktorin ndërkombëtar lidhur me të tashmen e të ardhmen e Shqipërisë, unë po marr sot guximin të shkruaj me të zezë mbi të bardhë dhe të them me zë të lartë: “Shpëtoni kryetarin Rama!”.
Dikur, në një intervistë të dhënë një kanali televiziv apo në një shkrim të botuar në një gazetë të përditshme, kam përmendur një thënie që historianët ia kanë veshur Volterit, këtij filozofi të famshëm francez të shekullit XVIII, që paskësh thënë: “O Zot, mbromë nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”. Sot, ënda ma ka të merrem pakëz më gjatë pikërisht me këtë shprehje të mençur lidhur me shpëtimin e kryetarit Rama.
Nga se duhet ta shpëtojmë zotin Rama? Çfarë e kërcënon atë? Kush janë ata që e vënë në rrezik ekzistencën, lulëzimin dhe apoteozën e tij në skenën e trazuar të politikës shqiptare? Sigurisht, mbështetësit e tij, qofshin ata ramistë, rameskë apo ramoidë, do të hidhen e do të thonë pa më të voglin ngurrim: “Duhet ta shpëtojmë nga armiqtë apo nga kundërshtarët e tij brenda e jashtë atdheut, brenda e jashtë Partisë Socialiste”. Veçse unë jam më se i sigurt e më se i bindur që vetë kryetari Rama nuk do të pranonte. Nuk do të pranonte sepse, siç e thotë edhe Volteri, nga armiqtë apo kundërshtarët e tij, ai është i zoti, shumë i zoti të mbrohet vetë; këtë e tregojnë, ndër të tjera, zanafilla dhe ecuria e përplasjes Rama-Berisha. Atëherë, nga kush tjetër duhet të mbrohet kryetari Rama? Po t’i shkojmë deri në fund shprehjes së Volterit, i bie që ai duhet të mbrohet ose duhet shpëtuar nga miqtë e vet, d.m.th. nga ata që ka në krah si në gjirin e partisë që drejton, ashtu edhe jashtë radhëve të saj, d.m.th. në gjirin e “popullit opozitar”! Por, mjerisht, realiteti ynë politik i këtyre dhjetë vjetëve të fundit tregon se janë pikërisht miqtë, shokët e aleatët e kryetarit Rama që duhen të ruhen prej tij. (Le të kujtojmë mënyrën se si ua “shpërbleu” kryetari Rama Nanos dhe Metës nderet që këta i bënë atij kur ishin në pushtet!).
Në këto kushte, pra, lind pyetja: Kur kryetari Rama nuk paska nevojë për ndihmë, përkrahje apo mbrojtje as kur ndeshet me armiqtë e vet, as kur përballet me miqtë e vet, përse këmbëngulni ju, zoti Tupja, në kërkesën tuaj të sotme për të shpëtuar kryetarin Rama? Apo mos vallë ju gënjen mendja se mund të shkoni më larg se vetë Volteri me shprehjen e vet? Për hir të së vërtetës, më duhet ta flak për një çast tutje çdo lloj modestie nga ana ime dhe të pohoj se Volteri, gjatë betejave të tij intelektuale kundër despotizmit, obskurantizmit e padrejtësisë në Francën e shekullit XVIII, nuk ka njohur, me shumë gjasë, ndonjë personazh të kalibrit të kryetarit Rama, i cili është i aftë të mbrohet, më së miri e fare vetëm, pra, pa ndihmën e Zotit (tek i cili më ngjan se nuk para beson), edhe nga armiqtë, edhe nga miqtë (çka bën që, në këtë pikë, kryetari Rama të qëndrojë më lart se filozofi, dramaturgu, shkrimtari, historiani dhe enciklopediku Volter). Për t’i rënë shkurt, jam përfundimisht i mendimit se, meqë armiku apo kundërshtari i tij më i rrezikshëm nuk është as jashtë radhëve të Partisë Socialiste (si Berisha, Meta etj., etj.), as brenda radhëve të saj (si Nano, Blushi, Islami apo Malaj), kryetari Rama duhet mbrojtur…, duhet mbrojtur nga… vetë kryetari Rama, d.m.th. nga vetvetja! Në thelb, vetvetja ose uni i kryetarit Rama është i ndërtuar mbi një marrëdhënie sistematikisht konfliktuale me botën dhe njerëzit që e rrethojnë; këtë e dëshmon, sigurisht, jeta e tij, por sidomos karriera e tij politike deri sot. Në këtë mënyrë, jo vetëm ai, por edhe Partia Socialiste, edhe partitë e tjera opozitare, edhe maxhoranca, pra, krejt populli shqiptar (pozitarë e opozitarë shkartisur), do të shpëtojnë nga një e tashme e hipotekuar keq dhe nga një ardhme e komprometuar rëndë.
Pyetja e parafundit që mund të më drejtojë lexuesi i vëmendshëm dhe i paanshëm i këtij shkrimi është: Po në ç’mënyrë mund të shpëtohet kryetari Rama nga vetvetja, nga uni i tij konfliktual? Përgjigjja ime do të jetë fare lakonike: nëpërmjet psikodramës. Ç’është psikodrama? – mund të jetë pyetja e fundit e lexuesit. Pasi shfletova fjalorin Robert 1, në variantin e tij elektronik të vitit 2001, mund të pohoj se shkenca psikiatrike na mëson që psikodrama na qenka një psikoterapi në grup: ata që kanë nevojë për këtë trajtim marrin pjesë në një shfaqje duke luajtur role me situata konfliktuale që u ngjajnë konflikteve të tyre (me të tjerët ose me vetveten). Dhe meqenëse kryetari Rama është aq i zoti sa nga të tjerët (miq apo armiq qofshin ata) të mbrohet vetë, le t’i nënshtrohet atëherë seriozisht e për një kohë të gjatë një psikoterapie të bazuar tek psikodrama dhe vetëm tek ajo për t’u shëruar ose për të shpëtuar nga vetvetja.
Gazeta “Panorama”