English

Thaçi: Në 12 vjetorin e çlirimit, Kosova me projekte historike

Prishtinë, 12 qershor 2011, NOA- Me rastin e ditës së paqes Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi se, 12 Qershori, shënon ditën e çlirimit të Kosovës, ditë për të cilën çdo qytetar i vendit ka kontribuar dhe sakrifikuar. “Në dymbëdhjetë vjetorin e çlirimit të Kosovës, kujtojmë simbolin e rezistencës së gjithë qytetarëve të Kosovës, babain e Pavarësisë së Kosovës, komandanti legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjen e tij heroike. Në këtë përvjetor të shënimit të Ditës së Paqes, Republika e Kosovës është njohur nga 76 shtete të botës, si dhe po arrin suksese të vazhdueshme në të gjitha fushat, që nga avancimi i infrastrukturës së gjithanshme, në arsim, në zhvillimin ekonomik dhe në sfera tjera”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, përvjetori i dymbëdhjetë i çlirimit, Kosovën e gjen me fillimin e hovshëm të realizimit të projektit historik, autostradës Vërmicë- Merdarë, autostradës së Kombit dhe në përgatitjet përfundimtare për fillimin e autostradës tjetër, asaj Prishtinë-Shkup.

Më tej ai theksoi se ëndrra e hershme e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për integrim, po bëhet realitet. Sakaq Thaçi nuk kurseu falënderimet për ndërkombëtarët që nga NATO, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që siç tha ai u vunë në mbrojtje të vlerave të qytetërimit në Kosovë. Kryeministri i Kosovës u zotua se do bëhet e mundur përmbushja e kritereve për integrimin dhe anëtarësimin drejt familjes evropiane.

a.y/NOA

KOMENTE