English

Vetëvendosja zgjedh krerët e saj në Pejë

Pejë, 12 qershor 2011, NOA – Në gjashtë vjetorin e themelimit të saj, që përkujton 12 qershorin e vitit 2005, Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi zgjedhjet e partisë në komunën e Pejës.

Në zgjedhje morën pjesë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, aktivisti Shpend Ahmeti si dhe deputeti Florin Krasniqi.

Pas zgjedhjes së kryesisë së punës dhe verifikimit të kuorumit përshëndeti edhe lideri i lëvizjes Albin Kurti.

“Jemi në Pejë e pikërisht në përvjetorin e gjashtë të Lëvizjes Vetëvendosje. Para gjashtë viteve ishte kjo dita kur ne shkruanim parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje!” Ne kishim vizion të qartë kur kërkonim vetëvendosje për popullin e Kosovës derisa partitë në pushtetin e asaj kohe shkonin dhe shkojnë në bisedime me Serbinë” deklaroi Kurti.

Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ka kontribuar në parlament dhe në institucione për transparencën dhe demokratizimin e sistemit duke sjellë sipas tij një kulturë të re politike në Kosovë.

“Kemi bërë politizimin e demokracisë, por edhe demokratizimin e politikës dhe nëse e mirëmbajmë sinqeritetin, fitorja është e pashmangshme” tha Kurti.

Në fund u zgjodh kryesia e Qendrës në Pejë dhe delegatët që do ta përfaqësojnë Qendrën e Pejës në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetar i Qendrës së Pejës u zgjodh aktivisti Avdi Shkreli.

mit/NOA

KOMENTE