Prishtinë, 12 qershor 2011, NOA- Lëvizja Vetëvendosje feston 6 vjetorin e krijimit të saj, ku në deklaratën e dhënë prej saj thuhet se, aktiviteti përgjatë këtyre viteve ka pasur një qëllim të vetëm: t’i vetëdijësojë qytetarët e Kosovës për gjendjen e rëndë të vendit, dhe për mungesën e perspektivës pozitive si popull, si dhe për angazhimin e tyre politik për ndryshimin e domosdoshëm rrënjësor që i duhet vendit dhe popullit.
Në fjalën e mbajtur në këtë përvjetor nga aktivisti Glauk Konjufca u tha se, “Kur u pat themeluar Lëvizja Vetëvendosje, dhe i filloi aktivitetet e saj, ajo u injorua nga regjimi. Sa herë që jepnim idetë tona dhe shpalosnim konceptin tonë politik ata përgjigjeshin me pyetjet propotente: “Kush janë këta?”. Ata as që denjonin të merreshin më çështjen se si ne e shtronim, sepse na e mohonin vetë ekzistencën. Regjimi fillimisht të karakterizon në anonimitet ashtu që të diskualifikojë si përmbajtje. Por kur ekzistenca e rezistencës bëhet një e dhënë e pamohueshme dhe një fakt i pakundërshtueshëm, atëherë pushteti fillon e ta relativizon ekzistencën nëpërmjet përqeshjes”.
Sipas tij, sot Lëvizja është më e fortë se kurrë, sepse janë 450 pika nëpër Kosovë e diasporë duke vijuar më tej zgjerimin, po bëhen zgjedhjet e brendshme, kurse në Kuvend janë deputetët që vazhdimisht e demaskojnë pushtetin e padrejtë.
Theksohet se gjatë këtyre 6 viteve Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar gjithsej 15 demonstrata popullore, i ka kryer mbi 200 aksione protestuese, i ka mbajtur mbi 1000 tubime me qytetarë. Të gjitha këto aktivitete janë përcjellë ngushtë nga pushteti i vendit, dhe veçanërisht nga policia. Gjatë këtij rrugëtimi 6 vjeçar janë arrestuar përmbi 300 aktivistë, ndërkohë që në demonstratën e 10 shkurtit janë vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj e janë plagosur 80 demonstrues të tjerë, prej të cilëve Zenel Zeneli, Mustafë Nerjovaj, dhe Hysni Hyseni janë lënduar rëndë.
a.y/NOA