Tiranë, 13 qershor, NOA - Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit do të shqyrtojë sot në orën 10:00, padinë e dorëzuar nga Partia Socialiste për zgjedhjet lokale të 8 majit në Tiranë. Partia Socialiste kërkon pavlefshmërinë e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar dhe shpalljen fitues të garës për kreun e Bashkisë së Tiranës kandidatin e mazhorancës Lulzim Basha.
Kjo është padia e tretë e Partisë Socialiste, pas rrëzimit të dy të parave objekt i të cilave ka qenë pikërisht vendimmarrja e KQZ-së për garën në Tiranë. Në padinë e fundit të PS kërkohet gjykimi në themel i çështjes që lidhet me numërimin e fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara nga KQZ-ja.
Pjesë e padisë së PS është ndryshimi i tabelave të rezultateve dhe mosrakordimi i fletëve të votimit me numërim e votuesve. Sipas deklaratave të zyrtarëve të PS-së rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues. Vendimi i sotëm i Kolegjit Zgjedhor çertifikon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Rrëzimi i ankesës së PS do të linte në fuqi vendimin e KQZ-së që shpall fitues kandidatin Basha.
a.k/NOA