Bill WarrenSHBA, 13 qershor, NOA- Ky kërkim nuk mund të përcaktohet si kërkimi i thesarit që nxori në dritë shumë vite më parë në brigjet e Santa Cruz në Kaliforni nga një anije rrënojë britanike. Tani Bill Warren, një aventurier i detit pas eksplorimit të më shumë se 200 rrënojave, ka vendosur të fillojë një mision shumë të veçantë në detin Arabik: në thellësinë e detit ai do kërkojë trupin e Osama bin Laden.
"E bëjmë këtë, sepse jemi amerikanë patriotë dhe ne mendojmë se Presidenti Barack Obama nuk ka dhënë prova. Unë nuk i besoj qeverisë apo presidentit tim", thotë Warren një sipërmarrës kalifornian i apasionuar pas arkeologjisë nënujore.
Ekipi që punon me të, shpreson të gjejë, të tërheqë dhe fotografojë trupin e sheikut terrorist që u hodh në det pas një funerali mysliman nga bordi i aeroplanmbajtëses Uss Carl Vinson. Qëllimi është për të fotografuar atë që pak veta në administratën amerikane e panë para se ushtarët amerikanë ta hidhnin në det. Dhe në rast të gjetjes së trupit, Warren do të kryejë testet e ADN-së në bordin e një anije. Kërkimi do të nisë në muajin korrik dhe do të kushtojë qindra mijëra dollarë (400 mijë dollarë sipas mediave amerikane) në harkun kohor të dy javëve.
Për disa kjo shihet si të kërkosh gjilpërën në kashtë: nuk është dhënë asnjë detaj në lidhje me vendin, ku u hodh trupi i Osama bin Laden. Informacioni i vetëm është se aeroplanmbajtësja Vinson ishte në detin Arabik të Veriut. Por Warren nuk dekurajohet edhe përveç eksperiencës e famës që ka, ai beson në kauzën e tij. "Administrata e Obamës duhet të publikonte fotot si bënë me Billy The Kid dhe John Dillinger apo edhe me Sadam Huseinin - thotë aventurieri i detit- Unë kam një të dashur ruse dhe ajo tregon se atje, në qarqet e inteligjencës, njerëzit nuk besojnë se Bin Laden është me të vërtetë i vdekur".
a.e./NOA