Tiranë, 13 qershor 2011, NOA – Enigma e fituesit të zgjedhjeve vendore në bashkinë e Tiranës pritet të zgjidhet sonte në seancën e orës 19.30 nga Kolegji Zgjedhor. Trupa gjykuese e Kolegjit pas dëgjesës së pretendimeve të të trija palëve, është tërhequr për të marrë vendimin mbi ankesën e tretë të Partisë Socialiste, vendim që pritet të zgjidhë enigmën e fituesit të betejës vendore për bashkinë e Tiranës.
Kolegji Zgjedhor u mblodh sot qysh në orën 10.00 të paradites ku në një seancë maratonë mori në shqyrtim kërkesë-padinë e tretë të Partisë Socialiste që kërkon gjykimin në themel të çështjes së rezultatit për bashkinë e Tiranës, sa i përket numërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i fletëve të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara, vlerësimin e tyre në tabelat e KZAZ-ve dhe tabelën përmbledhëse të rezultatit për bashkinë e Tiranës.
Sipas socialistëve vendimi me nr.709, 710 dhe 711 i KQZ-së për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara si dhe vlerësimin e tyre në tabelat e KZAZ-ve dhe atë përmbledhëse është i paligjshëm.
Deputeti socialist Damian Gjiknuri prezantoi në krye të seancës pretendimet e PS-së duke i kërkuar Kolegjit të administrojë tabelat përfundimtare të 485 qendrave të votimit në Tiranë si dhe tabelën përmbledhëse të rezultatit të Tiranës.
Më tej ai evidentoi se pas numërimit të fletëve të kontestuara në tryezën e KQZ-së rezultuan 357 fletë votimi më shumë sesa votues, gjë që sipas Gjiknurit dëshmon për manipulime me votat e ashtuquajtura të hedhura gabimisht në kutitë e gabuara.
Por, ky version i Gjiknurit është kontestuar nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Ivi Kaso, i cili tha se nuk kemi të bëjmë me manipulim, por me mospërputhje shifrash si rezultat i gabimit njerëzor, i kuptueshëm sipas tij për shkak të tejlodhjes së komisionerëve të KZAZ-ve.
Përfaqësuesi i PD-së deklaroi gjatë seancës se Kolegji Zgjedhur u shpreh në seancën e 3 qershorit për vendimet e KQZ-së duke i cilësuar ato si vendime të ligjshme.
Andaj me këtë argument ai i kërkoi Kolegjit që të mos e marrë parasysh padinë e re të PS-së pasi ajo është e përsëritur.
Kaso i kërkoi PS-së të paraqesë fakte për manipulimin e votave.
Më herët gjatë seancës foli edhe përfaqësuesja e palës së paditur KQZ-së, Dëshira Pasko, e cila kërkoi rrëzimin e ankesës së Partisë Socialiste, me argumentin se vendimi 709 i KQZ-së për numërimin e fletëve në kutitë e gabuara është i drejtë.
Seanca e sotme e Kolegjit Zgjedhor ka si relatore të çështjes gjyqtaren Dhurata Haveri, ndërsa anëtarë të trupit gjykues janë Sashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja.
Tashmë pritet vendimi i Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e zgjedhjeve vendore të 8 majit për kryebashkiakun e Tiranës.
Do të mbetet në fuqi vendimi i Kolegjit Zgjedhor i 3 qershorit për vendimin e KQZ-së që nxorri fitues në garën e Tiranës Lulzim Bashën me 81 vota apo do të merret parasysh padia e tretë e PS-së, që kërkon paligjshmërinë në themel të vendimit të KQZ-së për numërimin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, numërim ky që solli ndryshimin e rezultatit për Tiranën, duke hedhur poshtë rezultatin me 10 vota para të Edi Ramës, i dalë nga numërimi i votave në 11 KZAZ-të e Tiranës.
mit/NOA