Tiranë, 13 Qershor 2011 NOA Update Ervin Tirana – Vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e ish-Bllokut në Tiranë duke shkaktuar panik mes njerëzve që ndodheshin në lokal dhe qytetarëve të shumtë që lëvizin në rrugën ku ndodhi incidenti.
Burime në vendngjarje i thanë agjencisë NOA se ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut, në lokalin “Barocco” (Baroque), te rruga “Ismail Qemali”, pranë kryqëzimit, ngjitur me bankën BKT në zonën e ish-bllokut, Tiranë.
Burimet bëjnë të diture se me armë zjarri është qëlluar pranë lokalit, në drejtim të tre të rinjve duke i plagosur. Një prej tyre, Nadien Zenelaj, 32 vjeç nga Dibra, ka mbetur i vdekur kurse dy të tjerët të plagosur.
Policia konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA se të tre të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, por nga plagët e marra ka vdekur Nadir Zenelaj.
Në vendngjarje bashkëpunëtori i agjencisë NOA raportoi se situata u bë e nderë gjatë minutave të pas incidentit, pasi njerëzit u frikësuan nga plumbat e qitura me pistoletë duke u përpjekur të ruhen përmes uljes poshtë tavolinave apo vrapimit për të shmangur qëndrimin në zonën e rrezikuar.
Policia tha se një person ka qëlluar pranë lokalit duke kryer vrasjen, kurse priten të dhëna të tjera që do t’jua sjellim në edicionin e lajmeve të NOA ora 00.00.
a.e/NOA
Ne foto: Lokali prane te cilit ndodhi vrasja