English

Një doktrinë e re pedagogjike e edukimit

Nga Ndriçim Kulla

Është tashmë e gjithëpranuar ideja se guri filozofik i gjithë reformës sonë shkollore qëndron praktikisht në faktin se për shkollën shqiptare duhet të ketë një dhe vetëm një qëllim: të vihet mbi bazën e një sheshi mendor më të lartë, në mënyrë që të fitojë një nivel që të mos kufizohet vetëm te mësimi, por parësisht te edukimi, për të zhvilluar e për të vënë kështu në lëvizje fuqitë më të thella produktive dhe krijuese të nxënësve dhe fëmijëve tanë në përgjithësi”. Mirëpo, gjithçka e tillë – përtej një qëllimi – është një lëvizje që në thelb lyp një strategji, një metodikë dhe një doktrinë të re edukimi. Po përse vallë një ndërthurje e tillë? Pedagogjia, sipas një shkolle mendimi, trajtohet si një shkencë filozofike, e sipas një tjetre, si një shkencë universale. Shkencë filozofike, sepse subjekti i pedagogjisë është njeriu i konsideruar në tërësinë e natyrës dhe finalitetit të tij. Shkencë universale, sepse qëllimi suprem i pedagogjisë konsiston në artin e përsosjes së njeriut. Një proces i tillë përsosjeje, që është njëherësh fizik, intelektual, moral dhe politik apo social, kërkon në tërësinë e tij njohjen e thellë të disiplinave të ndryshme, qoftë edhe me një dije të segmentuar, duke filluar nga fiziologjia dhe antropologjia fizike, për të kaluar te logjika, morali, historia e së drejtës, e politikës, e për të përfunduar me disiplinat e shkencave sociale në përgjithësi. Ja pse kemi të bëjmë me një punë të thellë shkencore në përcaktimin e metodave të ndryshme të pedagogjisë, por që ne, gjithsesi, duhet të kemi për kornizë një filozofi të qartë e praktikë edukimi. Në këtë pikëvështrimi do të qe mirë të hidhnim disa vija të përgjithshme orientimi. Skicimi i një doktrine pedagogjike është një ideal i mrekullueshëm dhe fisnik, qoftë edhe atëherë kur ai nuk arrin të realizohet. Rrjedhimisht, duhet të kihet parasysh se arti edukativ kërkon shumë breza për t’u përsosur. Kësisoj, një brez lipset të edukojë një tjetër, në mënyrë që progresi i edukimit të shkojë domosdoshmërisht në unison me përsosmërinë e natyrës njerëzore. Pra, thelbësor është parashtrimi dhe skicimi që në fillim i një doktrine të caktuar pedagogjike, një detyrë kjo themelore edhe për reformën e shkollës sonë, e cila mund të marrë shumë “ushqim” nga ky pus i pashtershëm dhe i kulluar idesh. Po cilat mund të jenë tashmë për ne kriteret themelore të shkencës dhe artit të edukimit? Të edukuarit e njeriut në tërësi e përsosja e tij jo vetëm ndaj vetvetes, por edhe në lidhje me qëllimet e shoqërisë civile dhe njerëzore. Po me çfarë mjeti? Nëpërmjet ushtrimit të një autoriteti të arsyeshëm, që synon ta vendosë nxënësin në gjendjen më të mirë të mundshme për t’i bërë më pas një përdorim të drejtë lirisë. Brenda ç’periudhe kohe? Jo shumë të shkurtër, as shumë të gjatë, po për aq kohë sa është e nevojshme që edukimi të jetë i shkallëzuar dhe i plotë, që ai të mos kthehet në dëm të zhvillimit mendor dhe të shëndetit trupor, pra për të mos e rënduar përtej caqeve mendjen dhe shpirtin. Sot, shumë prindër e shumë mësues janë veçanërisht të ethshëm t’u mësojnë fëmijëve shumë gjëra dhe shumë shpejt. Po kështu, nëse në kohët e shkuara doktrina e pedagogjisë prirej më tepër nga edukimi moral, i cili madje “pushtonte” edhe fushën e edukimit mendor e intelektual, sot ndodh e kundërta. Me pak fjalë, mësimi, e sidomos edukimi duhet të kryhet “festina lente”, të përshpejtohemi ngadalë; më tej duhet ta veshim mësimin edhe me një edukim të thellë e të gjithanshëm moral. Mund të shtrohet me të drejtë pyetja: po në cilat mënyra mund të ndreqen a korrigjohen skajësime të tilla? Duke nisur nga edukimi fizik dhe ndjesor, më pas te ai intelektual e estetik, për të arritur në një edukim të arrirë moral. Pra, edukimi të përfshijë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet njerëzore, pa i shpërbërë, por duke i ushtruar, kultivuar e kësisoj duke i përsosur ato; e kjo të arrihet duke i shquar, jo duke i ndarë aftësitë njerëzore, nëpërmjet dallimit e nxënies së studimit të disiplinave të ndryshme shkencore dhe nëpërmjet nxitjes së tyre në harmoni me njëra-tjetrën, sepse po kështu, të shquara dhe të harmonishme janë edhe qëllimet e detyrimet sociale të njeriut. Gjithashtu, nuk duhet të edukohen fëmijët të fokusuar vetëm për kah brezit të sotëm, por për kah një gjendjeje sa më të mirë sociale të së ardhmes, duke themeluar kështu normat edukuese mbi idenë e njerëzimit në tërësi dhe qëllimit të tij të vërtetë e të realizuar. Prej kësaj pikënisjeje mund të drejtohemi edhe kah qëllimit final, ku edukimi të mos trajtohet si instrument përgatitës vetëm për një sektor të jetës së njeriut që ka të bëjë me punën ose me profesionin, por si një instrument i dobishëm e përgatitor i gjithë jetës në tërësi, madje pse jo, edhe për aspektet më të thella e më filozofike të të jetuarit. Me këtë finale, metoda e mësimit dhe edukimit nuk mund të jetë mekanike, por e ngritur mbi parime racionale. Mirëpo, në këtë zhvillim e sipër, veç një gjë duhet të jetë e pandryshueshme: fakti që personi njerëzor është një, një dhe shpirti i tij, po një e mira dhe e vërteta, një dhe detyra jonë supreme, d.m.th. pranimi dhe përkushtimi konstant, i pakushtëzuar ndaj ligjit moral dhe përsosjes morale të njeriut. E si mund ta arrijmë një gjë të tillë? Në ç’mënyrë mund të puqet autoriteti i edukatorit me vullnetin e lirë të të edukuarit dhe me qëllimin final të edukimit? Duke e përdorur autoritetin për të edukuar te njeriu lirinë. Kësisoj, një rritje e drejtë dhe parimisht e shëndetshme e një fëmije nuk duhet të qendërzohet vetëm në sigurimin e të rinjve me aftësi, kapacitete e dije të përdorshme praktikisht për vetëkënaqjen dhe vetëpërmbushjen personale, në mënyrë që t’ia dalin mbanë në jetë, në luftën dhe përballjen me strukturat e ekonomisë së tregut dhe kërkesat gjithnjë e më konkurruese të shoqërisë. Kjo, pa pikë dyshimi, është një domosdoshmëri. Mirëpo, po kaq e nevojshme është edhe “ana tjetër e medaljes” së këtij edukimi të menduar jo si edukim njëdimensional. Të mbushësh mendjen e të rinjve me sa më shumë informacion, për t’i shtrënguar ata të kalojnë me sukses provimet (praktikë kjo më se e gjithanshme e shkollës sonë), është forma më pak inteligjente e të edukuarit. Prej këtij arsyetimi rrjedh edhe diviza e përsëritur shpesh, sipas së cilës, “qëllimi final i edukimit është kuptimi sa më i drejtë i lirisë, i dashurisë njerëzore dhe i “lulëzimit të mirësisë” si faktorët thelbësorë të transformimit të shoqërisë”. Në këtë këndvështrim, liria duhet të trajtohet më tepër si e brendshme në karakter, sesa si liri politike. Pse, mos vallë, nëse i “dominojmë” fëmijët apo nëse i shtrëngojmë t’i përshtaten një shembulli a një modeli, sado elitar apo idealist qoftë ai, ata do të jenë vërtet të lirë? Përkundrazi. Ndaj, nëse do të donim të bënim një “revolucion” të vërtetë në fushën e edukimit, atëherë pikënisja e tij duhet të jetë medoemos liria, çka do të thotë që prindërit dhe mësuesit së bashku duhet t’u edukojnë fëmijëve parësisht lirinë, e jo t’i ndihmojnë ata të bëhen të këtillë a të atillë. Është pikërisht kjo doktrinë pedagogjike (e ravijëzuar këtu kryesisht në vizionet e saj), ajo që ka arritur t’i qëndrojë kohës, në përballje me sistemet e ndryshme edukative, të cilat ose ia lënë gjithçka në dorë autoritetit të edukuesit dhe të mësuesit, në dëm të spontanitetit të nxënësit, ose anasjelltas; apo të sistemeve që synojnë ta përshpejtojnë sa më shumë edukimin, ose e kundërta, ta vonojnë sa më shumë formimin intelektual dhe moral; apo të atyre sistemeve që mësojnë njëherazi lëndë e disiplina të rënda e të vështira, ose shumë të mangëta e thelbësisht sipërfaqësore; që asgjë tjetër nuk kërkojnë te nxënësi veçse kultivimin e një shpirti të kulluar apo që arrijnë te ai një formim të thjeshtë në përgjithësi, por një formim të përsosur estetik. Nga ana tjetër, nuk duhet të përkujdesemi për një formim që synon vetëm qëllimet e individit dhe drejtohet shumë pak kah qëllimeve sociale ose anasjelltas; as edhe në metodat që e bazojnë edukimin thjesht mbi parime apriori apo mbi një vëzhgim të jashtëm të athët, ose mbi mjetet materiale, duke e reduktuar kështu artin edukativ në një empirizëm të thatë. Pra, të gjitha këto lloje e mënyra të nxëni a edukuari, përgjatë të cilave ka kaluar e tërë historia e shkencës pedagogjike shqiptare, mund të tejkalohen me një doktrinë të re edukimi, pasi mund të shërbejnë fare mirë edhe si pasqyra që shëmbëllejnë rrezikun që i kanoset shkollës sonë po të vazhdojë me këtë doktrinë edukimi që ka sot.

KOMENTE