English

PDIU reagon: Greqia cënon dinjitetin e shqiptarëve

Tiranë, 13 qershor 2011 NOA- Shoqata atdhetare “Çamëria” dhe PDIU kanë reaguar lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut, të ndodhur vetëm pak ditë më parë në pikëkalimin e Kakavijës ndaj shtetasit Iliaz Alimani nga Gumenica.

Në deklaratën për shtyp theksohet se në formularin e Mospranimit të Hyrjes në Kufi në kundërshtim me detyrimin e tij, polici grek nuk ka shënuar asnjë prej rasteve të përcaktuara në këtë formular, por me shkrim dore ka shënuar në greqisht “Toponim i papranueshëm”, duke iu referuar vendlindjes së z. Alimani, që është Margëlliç, Gumenicë.

E njëjta shkelje ka ndodhur edhe ndaj shtetasit Damin Damini vetëm pak ditëmë parë, që është ndaluar të hyjë në Greqi për të njëjtat arsye. Ndërkohë që edhe i biri i tij, gjyqtar në rrethin e Shkodrës, z. Skënder Damini është ndaluar me motivacionin se përbën rrezik për rendin publik.

“Shoqata “Çamëria” ndjen nevojën e sensibilizimit të opinionit shqiptar në lidhje me shkeljen e vazhdueshme të të drejtave bazike të njeriut nga policia greke për shqiptarët e lindur në Çamëri,” theksohet në deklaratë.

PDIU ka kontaktuar ditët e fundit ministrin e Brendshëm, z. Bujar Nishani dhe ministrin e Jashtëm, z. Edmond Haxhinasto dhe ka kërkuar zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë të menjëhershme dhe të efektshme, duke tejkaluar atë që pala greke pretendon të jetë “toponim i papranueshëm”. Ministrat kanë premtuar se do të investohen personalisht në këtë problem deri në zgjidhjen e tij.

a.q/NOA

KOMENTE