English

Rezultati për Tiranën, Kolegji Zgjedhor tërhiqet për pushim

Tiranë, 13 qershor 2011, NOA – Trupa e Kolegjit Zgjedhor, e cila është mbledhur sot në një seancë maratonë për të shqyrtuar kërkesë-padinë e tretë të Partisë Socialiste dhe për të dhënë vendimin e shumëpritshëm për betejën për Tiranën është tërhequr për 15 minuta pushim.

Në kërkesë-padinë e tretë pranë Kolegjit zgjedhor Partia Socialiste kërkon një gjykim në themel të çështjes së rezultatit për bashkinë e Tiranës, që ngërthen numërimin nga KQZ të fletëve të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara, si dhe vlerësimin e tyre në tabelat e KZAZ-ve dhe tabelën përmbledhëse të rezultatit për bashkinë e Tiranës.

Në këtë seancë relatore e çështjes është gjyqtarja Dhurata Haveri, ndërsa anëtarë të trupit gjykues janë Sashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja.

Gjatë seancës së sotme deputeti socialist Damian Gjiknuri kërkoi shpalljen të paligjshme të vendimit të KQZ-së për hapjen e kutive.

Gjiknuri i kërkoi Kolegjit të administrojë tabelat përfundimtare të 485 qendrave të votimit në Tiranë si dhe tabelën përmbledhëse të rezultatit të Tiranës.

Ndërkohë gjatë seancës foli edhe përfaqësuesja e KQZ-së pranë Kolegjit Zgjedhor Dëshira Pasko, e cila kërkoi rrëzimin e ankesës së Partisë Socialiste, pasi sipas pakos, vendimi 709 i KQZ-së për numërimin e fletëve në kutitë e gabuara është i drejtë.

Po kështu gjatë seancës dha pretendimet e tij edhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Ivi Kaso, i cili deklaroi se Kolegji Zgjedhur është shprehur në seancën e 3 qershorit duke i vlerësuar vendimet e KQZ-së si vendime të ligjshme.

Këtu Kaso kërkoi që padia e PS-së të mos merret parasysh, pasi siç tha ai PS nuk po paraqet fakte për manipulimin e votave.

Duke iu referuar faktit të paditur nga PS se pas numërimit të fletëve të kontestuara rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, përfaqësuesi i PD-së tha se mospërputhja e shifrave është gabim njerëzor.

Seanca e sotme e Kolegjit Zgjedhor nisi në orën 10.00 dhe gjatë kësaj seance maratonë Kolegji është tërhequr disa herë për pushime të shkurtra.

Në pritje të vendimit për rezultatin e zgjedhjeve vendore për bashkinë e Tiranës sytë e shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë janë drejtuar në dyert e Kolegjit Zgjedhor, që pritet të vendosë sot se cili do të jetë kryebashkiaku i ri i Tiranës.

Më se një muaj e një javë nga zgjedhjet e 8 majit, Bashkia e Tiranës ende nuk e ka kreun e saj të vendosur me votën e qytetavë të Tiranës në 8 maj.

Do të jetë Lulzim Basha fituesi me 81 vota pas numërimit të fletëve të kontestuara, apo Edi Rama fituesi me 10 vota pas përmbylljes së procesit të numërimit të votave në KZAZ-në 49 në Tiranë, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit shqiptar për mandatin e ardshëm katër-vjeçar.

Këtë pritet ta vendosë sot Kolegji Zgjedhor.

mit/NOA

KOMENTE
  • Kuqeziu15:58 - 13 Qershor 2011
    Nuk u ngop Edi Rama me 11 vjet sundim mbi lejet e ndertimit? Edi Rames i ka kaluar koha. Edi Rama nuk eshte socialist, por karrierist. PS-se i duhet nje udheheqje e re, vertet socialiste, qe t'i ofroje elektoratit shqiptar nje alternative te majte te besueshme.