English

60 punonjës të Vodafone dhurojnë gjak

Tiranë, 14 qershor 2011, NOA – Në ditën ndërkombëtare të dhurimit të gjakut 60 punonjës të Vodafone Albania dhuruan gjak për të shpëtuar jetët e fëmijëve që vuajnë nga talasemia.

Ky është viti i gjashtë që punonjësit e Vodafone Albania iu përgjigjën thirrjes së kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin vullnetar të gjakut.

Dhurimi i gjakut u krye sot në mjediset e Zyrave Qendrore të Vodafone Albania. Vullnetarët u përshëndetën dhe falenderuan nga përfaqësues të lartë të Kryqit të Kuq Shqiptar, kompanisë Vodafone Albania dhe Fondacionit Vodafone Albania.

Organizatorët e ceremonisë nënvizuan rëndësinë e dhurimit të gjakut duke i bërë thirrje shoqërisë shqiptare që të tregojë kujdesin e duhur ndaj këtij gjesti njerëzor që shpëton jetë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar Zamir Muça tha se “njerëzit e Vodafone vijojnë të tregojnë respekt dhe të japin ndinmë të vertetë ndaj njerëzve, jetët e të cilëve varen nga gjaku i dhuruar, veçanërisht fëmijët që vuajnë nga talasemia”.

Ai vlerësoi se mbështetja e dhënë nga Vodafone duhet të shërbejë si një shembull model i organizatave që tregojnë kujdes për komunitetet rreth tyre.

Alma Varfi, Drejtore e Burimeve Njerëzore pranë Vodafone Albania tha se “dhurimi i gjakut shkon përtej shpëtimit të jetëve njerëzore sepse ai e lidh më shumë shoqërinë dhe bën që çdo individ i shoqërisë të ndihet i fortë, i rëndësishëm dhe pjesë e një mjedisi që në qendër vendos njeriun dhe ku njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin”.

Sipas saj kompania Vodafone Albania ndihet mirë që po ndihmon në përcjelljen e këtij mesazhi.

Vodafone Albania e konsideron Përgjegjshmërinë e Biznesit si një element kyç në çdo vendim që merr.

Çdo vit kjo kompani cakton fonde të konsiderueshme në projekte për mbështetjen sociale të realizuar përmes Fondacionit Vodafone Albania dhe seksionit të Përgjegjshmërisë Sociale të kompanisë.

NOA

KOMENTE