Manastir, 14 qershor 2011, NOA - Drejtori i “Muzeut të Alfabetit” në Manastir Gazmend Hoxhaj akuzohet për nepotizëm në këtë institucion.
Qenan Hasani, kryetari i Këshillit Drejtues deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se drejtori Hoxhaj duke shpërfillur organin themelues ka punësuar familjarë të afërt në këtë institucion të kulturës.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Muzeut, por edhe kandidatë që nuk janë pranuar në konkursin e fundit kanë shprehur pakënaqësitë dhe akuzat ndaj drejtorit të këtij muzeu.
“Pa më përfillur mua ai ka punësuar bashkëshorten, kushërirën e tij si juriste dhe persona të tjerë të afërt. Sistematizimi i vendeve të punës është bërë sipas dëshirës së tij dhe se nuk janë përfillur as Këshilli Drejtues, por edhe as Ministria përgjegjëse”, bëri me dije Qenan Hasani.
Lidhur me këto punësime, kreu i Këshillit Drejtues i ka dërguar një letër Ministrisë së Kulturës për të informuar lidhur me situatën e krijuar nga udhëheqësi i këtij institucioni, duke kërkuar gjithashtu të ndërmerren masa kundër tij, që nga kërkesat për shpalljen e konkursit për drejtor të ri dhe konkurs të ri për punësime, për të punësuar profesionistë.
Edhe Shoqata kulturore “Kongresi i Bashkimit” ka reaguar mbi nepotizmin dhe keqpërdorimet e postit në institucionin e sapothemeluar “Muzeu i Alfabetit” në Manastir.
NOA/INA