English

Energjia diellore, burimi që po “provokon” Evropën

Gjermani, 14 qershor 2011 NOA/ DW- Ritmet e rritjes ekonomike janë gjigante, e ardhmja duket shumë premtuese. Impiantet e prodhimit të energjisë diellore që u instaluan në mbarë botën deri në fund të 2010-ës kanë një kapacitet prej 40 mijë megavat (MW). Gati gjysma e tyre u instaluan gjatë vitit të kaluar. Bumi do ta ndryshojë shumë sektorin e energjetikës. Deri më 2020, sipas të dhënave të organizatës «European Photovoltaic Industry Association» (EPIA)(Bashkimi evropian i industrisë fotovoltaike), 12 përqind e nevojës evropiane për rrymë elektrike do të furnizohet nga kolektorët diellorë. Deri në vitin 2030 ata mund të përbënin 9% të kërkesës botërore për rrymë.

Energjia diellore zëvendëson atë atomike

Krahasim dhe sqarim: Aktualisht rreth dy mlionë impiante fotovoltaike prodhojnë rreth 40 miliardë kilovat-orë (kwh) në vit, aq sa ç' prodhojnë edhe pesë reaktorë bërthamorë. Bumi ka bërë që prodhimi i pilave diellore të zgjerohet. Sipas parashikimit të revistës së mirënjohur «Photon» mbas 2011-ës kapaciteti i prodhimeve të impianteve fotovoltaike do të arrijë në 67 000 MW. Pilat fotovolatike që do të vihen në dispozicion çdo vit në vende me shumë diell do të prodhojnë po aq energji sa ç'prodhojnë sot 15 centrale bërthamorë në vit.

Gjermania tregon si bëhet

Rolin kryesor në zhvillimin e energjisë diellore e ka marrë përsipër Evropa e para së gjithash Gjermania. Sipas të dhënave të EPIAS, më shumë se gjysma e moduleve fotovoltaike janë instaluar në Gjermani. Falë ligjit aktual, që u garanton prodhuesve me energji diellore çmime fikse për shitjen e rrymës, para së gjithash pilat diellore janë instaluar mbi çatitë e shtëpive private. Kostot e larta të investimit varen nga lloji i instalimit dhe mënyra e financimit, por më së voni mbas 16 vjetësh ato si rregull janë amortizuar. Më pas, pronarët e tyre mund të nxjerrin fitime të pastra nga rryma diellore.

Energjia diellore shtëpiake më e lirë se rryma furnizuesve

Me rënien e çmimeve të energjisë diellore dhe rritjen e tarifave të rrymës shumë qytetarë do të kenë më shumë interes që ta prodhojnë vetë rrymën që u nevojitet. Rryma diellore e prodhuar në shtëpi do të bëhet më e lirë se ajo e furnizuesve. Ky zhvillim, i cili që tani ka filluar të vihet re në disa pjesë të Evropës, ka shkaktuar një tjetër bum. Sa për krahasim: Një kilovat-orë rrymë e prodhuar nga sipërmarrjet furnizuese në Itali kushton rreth 24 eurocent. Rryma diellore që prodhohet nga një çati shtëpie në Italinë e Jugut kushton vetëm 17 eurocent. Pra, kush investon këtu në rrymën e vet, kursen afro 20% vetëm nga rryma diellore. Meqë çmimet e impianteve sa vijnë e bien, ndërsa sipas përvojës rriten kostot e rrymës, gjithmonë e më shumë qytetarë po mendojnë të kalojnë në energji diellore.

Konkurencë ndaj qymyrit, naftës dhe energjisë atomike

Bumi i dytë i energjisë diellore po vjen si rezultat i parqeve solare. Në ato vende që kanë shumë diell, rryma diellore do të jetë më e lirë se ajo që vjen nga centralet e zakonshme energjetike. Rryma e fuqisë diellore do të bëhet një konkurrente serioze e rrymës së qymyrit, naftës, gazit apo atomit, pa marrë parasysh aspektin e mbrojtjes së klimës. Sipas përllogaritjeve të hulumtuesve të Institutit Fraunhofer, në vendet e pasura me diell ky zhvillim do të shihet më së voni nga viti 2020. Studiuesit thonë se atëherë rryma e prodhuar në parqet fotovoltaike me shumë diell do të kushtojë afro gjashtë eurocent, ndërsa rryma klasike e qymyrit, naftës dhe ajo atomike do të jetë një eurocent më e shtrenjtë.

Centralet diellorë, përparësi për natën

Ndërsa prodhimi i energjisë diellore nga impiantet fotovoltaike dëshmon që tani se ato mund të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të furnizimit me rrymë në disa vende, centralet e e energjisë diellore ende nuk kanë hyrë në biznesin e madh. Centralet e para të mëdha janë ndërtuar në jug të Spanjës, ndërsa në SHBA janë planifikuar dhe po ndërtohen 9 centrale me një kapacitet prej mbi 4000 MW. Edhe në Afrikën e Veriut po ndërtohen centralet e para të energjisë diellore. Koncernet energjetike gjermane shohin këtu para së gjithash të ardhmen e tyre. Me nismën Desertec ata planifikojnë të prodhojnë në Afrikën e Veriut energji diellore, të cilën me anë të përçuesve të vazhdueshëm do ta transportojnë pa humbje deri në Evropën e Veriut.

a.q/NOA

KOMENTE