English

KiE letër Berishës, Fule: Dialogoni, kërcënohet funksionimi i institucioneve

Bruksel, 14 qershor 2011, NOA Update – Gjatë raportimit për Shqipërinë këtë pasdite në Parlamentin Europian, Komisioneri Europian për Zgjerimin Stefan Fule rrëfeu se Sekretari i Përgjithshëm i KiE-s Thorbjorn Jagland i ka dërguar një letër kryeministrit Sali Berisha, ku i shpreh miqësisht shqetësimin mbi situatën politike në vend të rënduar tejet gjatë procesit për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës dhe numërimit të votave të kontestuara.

Komisioneri tha se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës ka theksuar se ndarja politike në vend është përkeqësuar në një nivel të tillë që kërcënon funksionimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen dhe progresin e mëtejshëm ekonomik.

Fule bëri me dije se letra e Jagland i është dërguar kryeministrit Berisha mëngjesin e 14 qershorit, pra vetëm pak orë nga nisja e diskutimeve në Komitetin e Stabilizim –Asociimit mes delegacionit shqiptar dhe PE-së për përmbushjen e 12 kritereve të Progres-Raportit të KE-së për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat.

Sipas Fules Sekretari i Përgjithshëm i KiE-s sugjeron edhe nisjen menjëherë të dialogut si një mundësi për kapërcimin e ngërçit politik.

Duke folur në takimin ndërparlamentar në PE, Komisioneri për Zgjerimin bëri me dije se Jagland shprehet tejet i preokupuar për situatën postzgjedhore në Shqipëri duke i sugjeruar kryeministrit Berisha se për çështjen e numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara duhet të pyetet Komisioni i Venecias për të marrë këshilla në mënyrë që të shmangen situata të tilla të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme.

Më tej Komisioneri për Zgjerimin tha se përkundër pritshmërive pas zgjedhjeve vendore të 8 majit në Shqipëri është krijuar një situatë shumë e vështirë si rezultat i numërimit të votave të kontestuara në Tiranë dhe ndryshimit në tabelën e rezultateve për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

Fule tha se ka interpretime të ndryshme lidhur me numërimin e votave të kontestuara.

Këtu ai ripërsëriti se në raportin paraprak të OSBE-ODIHR-it u theksua se ka paqartësi ligjore për mënyrën e trajtimit të fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara.

Komisioneri Fule në këtë kontekst apeloi që palët t’i drejtohen Komisionit të Venecias për të zgjidhur këtë problem të paparashikuar në Kodin Zgjedhor.

Ai sakaq i bëri thirrje liderëve të politikës të presin qetësisht përmbylljen e procesit zgjedhor dhe të shmangin deklaratat.

Komisioneri për Zgjerimin i bëri një apel të qartë palëve të gjejën rrugën e dialogut për të marrë vendimet e nevojshme në interes të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

mit/NOA

KOMENTE