Tiranë, 14 qershor 2011, NOA – Kuvendi i Shqipërisë pritet të kthejë mbrapsht dekretet e Presidentit të Republikës Bamir Topi për emërimin e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.
Ky vendim u mor sot gjatë diskutimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili mori në shqyrtim relacionet përkatëse lidhur me seancat dëgjimore për dekretet e Presidentit për emërimin si anëtar në Gjykatën e Lartë, të Manjola Bejlerit, Shkëlzen Selimit si dhe Edmond Islamaj.
Komisioni i Ligjeve sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, vendosi që nëpërmjet Kryetares së Kuvendit t’i kthejë Presidentit të Republikës dekretet për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me argumentin se ka vetëm një vend vakant.
Gjatë mbledhjes së sotme, Komisioni i Ligjeve miratoi edhe projektligjin “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Projektligji do të gjejë zbatim për funksionet e inspektimit në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore dhe të njësive të qeverisjes vendore.
Inspektimi ka për qellim mbrojtjen e interesit publik dhe të interesave të ligjshme të personave, fizikë dhe juridikë.
Sipas Komisionit të Ligjeve, qëllimi i veprimtarisë së inspektimit arrihet përmes vlerësimit të respektimit të kërkesave ligjore nga subjekti i inspektimit, nga dokumentimi i praktikave më të mira në respektimin e kërkesave ligjore dhe përhapjen e tyre, këshillimit të subjektit të inspektuar për zbatimin sa më korrekt të kërkesave ligjore etj.
mit/NOA