English

Pak gjak për të shpëtuar shumë jetë

Punonjësit e Vodafone Albania dhurojnë gjak për të shpëtuar jetët e fëmijëve që vuajnë nga talasemia

Tiranë, 14 Qershor 2011 NOA - Në ditën ndërkombëtare të dhurimit vullnetar të gjakut më shumë se 60 punonjës të Vodafone Albania dhuruan gjak, si një ndihmë për të shpëtuar jetët e fëmijëve që vuajnë nga talasemia. Ky është viti i gjashtë që punonjësit e Vodafone Albania ju përgjigjën thirrjes së kryqit të Kuq Shqiptare për dhurim vullnetar gjaku.

Dhurimi i gjakut u krye sot në mjediset e Zyrave Qendrore të Vodafone Albania. Vullnetarët u përshëndetën dhe falënderuan nga përfaqësues të lartë të Kryqit të Kuq Shqiptar, kompanisë Vodafone Albania dhe Fondacionit Vodafone Albania. Folësit në këtë ceremoni nënvizuan rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe i bënë thirrje shoqërisë shqiptare që të tregojë kujdesin e duhur këtij gjesti njerëzor që shpëton jetë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar Z. Zamir Muça tha se njerëzit e Vodafone vijojnë të tregojnë respekt dhe të japin ndihmë të vërtetë ndaj njerëzve jetët e të cilëve varen nga gjaku i dhuruar, veçanërisht fëmijët që vuajnë nga talasemia. Z. Muça tha se mbështetja e dhënë nga Vodafone duhet të shërbejë si një shembull model i organizatave që tregojnë kujdes për komunitetet rreth tyre.

Znj Alma Varfi, Drejtore e Burimeve Njerëzore tek Vodafone Albania tha se dhurimi i gjakut shkon përtej shpëtimit të jetëve njerëzore sepse ai e lidh më shumë shoqërinë dhe bën që çdo individ i shoqërisë të ndihet i fortë, i rëndësishëm dhe pjesë e një mjedisi që në qendër vendos njeriun dhe ku njerëzit kujdesen për njëri-tjetrin. Ajo shtoi se kompania Vodafone Albania ndihet mirë që po ndihmon në përcjelljen e këtij mesazhi.

Vodafone Albania e konsideron Përgjegjshmërinë e Biznesit si një element kyç në çdo vendim që merr. Çdo vit kjo kompani cakton fonde të konsiderueshme në projekte për mbështetjen sociale të realizuar përmes Fondacionit Vodafone Albania dhe seksionit të Përgjegjshmërisë Sociale të kompanisë.

e.t/NOA

KOMENTE