English

PD: Edi Rama sulmon se është humbës

Tiranë, 14 qershor 2011, NOA – Selia blu reagoi më herët lidhur me deklaratën e sotme të kryesocialistit Edi Rama ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor për hapjen e të gjitha kutive të bashkisë së Tiranës dhe numërimin e fletëve të kontestuara të hedhura në kutitë e gabuara duke deklaruar se Kryetari i Opozitës formuloi sulmin e radhës ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese.

Reagimi ndaj shefit të selisë rozë erdhi nga zëdhënësja e PD-së Albana Mustafaraj.

“Sërish në daljen e tij të radhës, para mediave, z. Rama, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të numëruar çdo votë të panumëruar në çdo kuti, formuloi sulmin e radhës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit ligjor”, tha Mustafaraj.

Këtu Mustafaraj tërhoqi vëmendjes se akuzat e Ramës ndaj KQZ për kanibalizëm elektoral tregojnë se Edi Rama ka frikë se del humbës nga numërimi i votave.

Mustafaraj nënvizoi se “Kryetari i Partisë Socialiste, që vetëm 4 ditë më parë, sulmoi vendimin e KQZ-së, me akuzën se ishin numëruar votat e hedhura gabim vetëm në 127 kuti dhe jo në të gjitha kutitë e tjera, sot pas vendimit të Kolegjit që vendosi të numërojë çdo votë të panumëruar që është hedhur gabim në kutitë e garave të tjera, ai i kthehet tezës së kanibalizmit”.

Duke theksuar se kanibalizëm është mosnumërimi i votave, zëdhënësja e PD-së deklaroi se Edi Rama po shkon kundër thirrjeve të përsëritura të ndërkombëtarëve për respektimin e institucioneve ligjore, duke kërkuar të mbysë zërin e qytetarëve.

mit/NOA

KOMENTE