Tiranë, 14 qershor 2011, NOA- Lidhur me ngjarjen e ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në zonën e ish-bllokut ka reaguar policia e kryeqytetit.
Nëpërmjet zëdhënëses Alma Katragjini thuhet se në rrugën “Ismail Qemali” Tiranë, përpara lokal Baroque, është vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasi Nadien Zeneli, 32 vjeç, lindur në Ternovë Dibër e banues në Fushë Krujë.
Katragjini konfirmon edhe të plagosurit duke thënë se ata janë Tafë Mandri, 23 vjeç, lindur në Shumat Dibër e banues në Paskuqan Tiranë si dhe Bledar Miho, 25 vjeç, lindur në Qafë Murre Dibër e banues në Tiranë, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën.
Theksohet se për hetimin e kësaj ngjarje, u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor, të cilët aktualisht po merren me procedurat e marrjes në pyetje e veprimeve të tjera hetimore.
Nga policia e Tiranës thuhet se të dhënat paraprake flasin se dyshohet se autor i vrasjes dhe i plagosjes së dyfishtë të jetë një person, ku mendohet se kjo ngjarje të ketë motiv, konflikte të mëparshme të viktimës.
Lidhur me këtë ngjarje në vendngjarje në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri e tipit Pistoletë e markës Rossi, armë e cila u gjend në trupin e viktimës, si dhe disa gëzhoja në vendngjarje.
Sipas Katragjinit materialet lidhur me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa po vijon puna për kapjen e autorit
a.y/NOA