English

Procesi “Berat-DIA”, prokuroria italiane 180 vjet burg bandës italo-shqiptare

Brindizi, 14 qershor, NOA – Plot 180 vite burg është kërkesa e prokurorisë italiane të Brindizit ndaj bandës së kryesuar nga dy vëllezërit Giovanni dhe Rafaele Brandi, në të cilën merrnin pjesë edhe disa shqiptarë.

Lajmi konfirmohet nga mediat italiane, sipas të cilave, fjala është për 12 të pandehurit e operacionit “Berat-DIA”, i cili u realizua në vitin 2007 në shtetin fqinj, ndaj një bande të akuzuar për grabitje, trafikim ndërkombëtar të drogës si dhe përdorimin e metodave frikësuese ndaj autoriteteve.

I përfshirë në aferat e saj renditet edhe ish-udhëheqësi i një këshilli të qytetit të Brindizit, Massimiliano Todaro.

Në detaje, për shqiptarët e bandës kërkohen konkretisht: për Arben Leklin, 44-vjeçar, 27 vjet burg; ndërsa për 46-vjeçarin Viktor Lekli, kërkohen 24 vjet burg.

Ndërsa për ish-këshilltarin e Brindizit, Massimiliano Todaro, si i akuzuar për bashkëpunim me mafian, kërkohen 6 muaj burg.

Operacioni

Operacioni policor, i njohur me emrin "Berat-DIA”, është realizuar nga policia italiane më 9 tetor 2007. Hetimi zbuloi një trafik ndërkombëtar të drogës, që realizohej mes brigjeve të Italisë dhe Shqipërisë. Atëherë u tha se furnizues të kokainës dhe të heroinës, për klientët dhe shpërndarësit italianë ishin dy vëllezërit shqiptarë Viktor dhe Arben Lekli.

Njëri prej kishte fituar simpatinë dhe solidaritetin e të gjithë qytetit italian ku punonte, dhe madje iu dha edhe një rol kryesor në një film të metrazhit të shkurtër, i nënshkruar nga drejtori Simone Salvemini, që fitoi çmimin e parë në festivalin e Filmit në Tiranë.

Të dy vëllezërit mbërritën në Brindizi me valën e madhe të refugjatëve nga viti '91.

Hetimet kanë gjetur se vëllezërit Lekli kishin ndërtuar një perandori të pasurive të patundshme në Shqipëri, me anë të tregtisë ndërkombëtare të drogës, në të cilën ata kishin një rol kryesor.

E nuk është rastësi që kundër tyre janë kërkuar dënimet më të rënda për një vlerë prej 27 vitesh për Arben Leklin dhe 24 vjet për vëllain e tij, Viktor. n.e/NOA

KOMENTE