Autoritetet e Kosovës do të gabojnë, por kur bëhet fjalë për të mësuar, nuk ka alternativë ndaj bërjes së gabimeve. Së paku në rastin e FMN-së, ata që kanë marrë këtë vendim tani duhet të mbushin vrimën në buxhet, të cilën e kanë krijuar vetë
Nga Daniel Serwer
U ktheva në Prishtinë, pas një mungese tetëvjeçare. Çfarë zbulova? Me lejoni të them që në fillim: jo shumë, pasi që jam këtu që vetëm dy ditë. Por, së paku do të ofroj përshtypjet e mia fillestare, mbështetur në dhjetëra apo më tepër biseda. E ruaj të drejtën që t’i revidoj ato, pasi që të kem dëgjuar më tepër.
Moti i ndryshueshëm - në një moment shi i rrëmbyeshëm, e më pas kohë më diell - më ka mbajtur të kujdesshëm. Kosova, kur e vizitova herën e fundit, kishte një qeveri: kishte ministra, ministri, drejtorë të përgjithshëm... Por, kishte shumë pak nga ajo, që do ta quaja shtet: më saktë, një grup institucionesh, në të cilat do të mund të mbështeteshe, për të ruajtur një nivel të vazhdimësisë dhe objektivitetit, pa marrë parasysh se kush ishte zgjedhur. Më shumë se një lexues më kanë siguruar se nuk do ta gjej situatën dukshëm më të përmirësuar.
Natyrisht se nuk kam qenë në gjendje që të testoj shërbimet, të cilat shteti ua ofron qytetarëve të thjeshtë, përveç se t’i bie shkurtimisht rrugës kryesore dhe të shijoj shndërrimin e saj në një shëtitore për këmbësorë. E mbushur me të rinj, të cilët shijonin periudhën ndërmjet rrebesheve të shiut, atmosfera me siguri është ngazëllyese në mesin e atyre, të cilët mund t’i lejojnë vetes që të shijojnë një kafe, në një prej shume kafeneve, të cilat rreshtohen në sheshin kryesor të Prishtinës, “Nëna Tereza”. Pjesën më të madhe të ditës së djeshme e kalova në Ministrinë e Jashtme. Njerëzit, me të cilët pata punë aty - më duhet të pranoj, ndër më të mirët - do të vlerësoheshin si inteligjentë dhe profesionistë të trajnuar mirë në State Departament apo diku tjetër. Ata kishin studiuar me kujdes çështjet për të cilat diskutuam dhe kishin përgatitur dosje gjithëpërfshirëse, të cilat ishin informuese, objektive dhe freskëta. Ishte ky një kërcim i madh përpara, krahasuar me tetë vjet përpara, kur ekzistonte një bindje e domosdoshme ndaj politikave të qeverisë, e cila përcaktonte çdo bisedë dhe parandalonte përgatitjen e vlerësimeve të sinqerta.
Gjithashtu, kisha mundësinë që të takohesha me disa prej udhëheqësve politik shtetërorë dhe qeveritarë. Për herë të parë, në atë që sot është Zyra e Presidentit, hyra në vitin 1998, kur i thirra administratorët serbë të, atëherë, krahinës së Kosovës. Sapo kisha ardhur nga Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, vetëm disa qindra metra më larg, ku kisha parë dokumentacion të përmbledhur me kujdes dhe gjithëpërfshirës për abuzimet e kryera nga forcat serbe të sigurisë. Autoritetet e atëhershme mohuan se kishte ndonjë abuzim dhe refuzuan që të vizitojnë së bashku me mua Këshillin. Më vonë, në të njëjtën dhomë vizitova Bernard Kouchnerin dhe Hans Haekkerupin (shefa të misionit të OKB-së), në vitet 2000 dhe 2001, përderisa po përpiqeshin të administronin Kosovën e pasluftës, të nxjerrë nga administrimi i Serbisë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas luftës NATO-Jugosllavi. Ishte ky një rol i vështirë për ta, të cilin e luajtën me çfarëdo aftësei dhe burime që mund të nxirreshin, nga një shoqëri e thyer, e traumatizuar nga lufta shumë pak kohë më parë. Sot, e njëjta dhomë është shumë më e gjerë dhe më gazmore, jo vetëm për shkak të ridekorimit të saj. Presidentja me zë të butë, Atifete Jahjaga, iu bashkua policisë së Kosovës të pasluftës, në përpjekje për të zhbërë abuzimet, të cilat ajo i kishte përjetuar nën administratën serbe. E vendosur, thotë ajo, për të mbrojtur dhe shërbyer, ajo ishte në mesin e atyre pak femrave, e cila u shkëput nga praktika e dominimit të meshkujve në radhët e forcave të sigurisë.
Pa marrë parasysh qëndrimin tuaj për statusin e Kosovës, është me rëndësi të pranohet se ngritja e saj në funksionin e presidentes, paraqet një shkëputje të vërtetë me të kaluarën. Ajo është një jopolitikane, kandidatura e së cilës thuhet se është favorizuar nga ambasadori amerikan.
E zgjedhur me një shumicë të gjerë në Parlament, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin për arsye procedurale u anulua fitorja e ngushtë e një politikani më tradicional, ajo po përpiqet që të projektojë një pamje të stabilitetit dhe të gjithëpërfshirjes.
Duke u bazuar në disa takime tjera me ministrat, duket se qeveria po i jep prioritet verbal ligjit dhe rregullit, ndoshta për shkak se po përballet me hetime dhe akuza, të cilat janë turpëruese dhe potencialisht dëmtuese. Kjo situatë bëhet dyfish më e vështirë, për shkak të kërkesave për bashkëpunim me pikërisht ata zyrtarë ndërkombëtarë, të cilët njëkohësisht po e hetojnë qeverinë. Por, të gjithë theksojnë se janë të gatshëm për të bashkëpunuar dhe që hetimet të marrin rrjedhën e tyre. Qëndrimet e kritikëve të qeverisë janë më të ashpra. Disa prej tyre kanë bindjen e fuqishme se është bërë shumë pak, në lidhje me akuzat serioze për korrupsion kundër zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, deklaratat e të cilëve për ndershmëri i cilësojnë si më pak të besueshme apo të sinqerta. Po, ka hetime për korrupsion, por ato janë selektive dhe jo gjithëpërfshirëse. Ka shumë akuza, të cilat mbetën të pahetuara. Nuk ua kam zili ndërkombëtarëve, të cilët janë ende këtu, për të ndihmuar institucionet e Kosovës që të forcojnë kapacitetet e tyre, për të vepruar në mënyrë efektive. Në një moment të caktuar, vetëm banorët lokalë me legjitimitet demokratik mund të qeverisin me të vërtetë në mënyrë efektive, apo të përballen me vendosmëri me kriminalitetin e organizuar.
Autoritetet e Kosovës do të gabojnë - vendimi i fundit për të rritur pagat, duke e kundërshtuar FMN-në, nga shumë njerëz do të vlerësohet si gafë - por kur bëhet fjalë për të mësuar, nuk ka alternativë ndaj bërjes së gabimeve. Së paku në rastin e FMN-së, ata që kanë marrë këtë vendim tani duhet të mbushin vrimën në buxhet, të cilën e kanë krijuar vetë.
Pra, pranoj se nesër ndoshta do të pendohem për atë që kam shkruar sot, pasi që të kem mësuar më shumë për realitetin e jetës dhe të qeverisjes në Kosovë. Por nëse kjo ndodh, atëherë do të bëj përpjekje ta pranoj me sinqeritet.
Sa për sot, jam i lumtur që kam zbuluar disa befasi të këndshme, përfshirë këtu edhe pakënaqësinë e madhe të kritikëve të qeverisë, e cila e bën të parakohshëm çfarëdo gjykimi për meritat e ligjit dhe rregullit të saj.
*Autori është Drejtuesi i Institutit Amerikan për Paqen