Nju Delhi, 14 qershor, NOA - Një palë syze që i përkisnin Mahatma Gandit, janë zhdukur nga muzeu Ashram i qytetit Sevragram në Indi.
Lajmi është bërë me dije nga gazeta “Times of India”, sipas të cilës, ngjarja ka ndodhur që në muajin nëntor, por vetëm tani u bë me dije nga autoritetet indiane, pasi ato kishin frikë mos irritonin publikun.
Fjala është për vjedhjen e objektit simbol të atij që quhet “Babai i Indisë së pavarur”.
Syzet karakteristike të Gandit, ruheshin në muzeun e njohur të Sevagramit, por për fat të keq, ato nuk rezultojnë të jenë më aty.
Muzeu është vendosur në një vend meditimi pranë Vhardas, në shtetin perëndimor të Maharashtras, ku Gandi ka kaluar vitet e fundit të jetës së tij.
Ai ndodhej këtu pasi udhëheqësit e Partisë së Kongresit u mblodhën në vitin 1942 për të nisur fushatën e mosbindjes civile, në mbështetje të pavarësisë së Indisë nga regjimi kolonial britanik.
Mësohet se çdo vit më shumë se 300 mijë vizitorë shkojnë në muzeun e famshëm të Ashramit, ku mbahen të ruajtura disa objekte personale të Mahatmas.
Aq të rëndësishme konsiderohen ato për këtë vend, saqë kryeministri i shtetit të Maharashtras, Prithviraj Chavan, ka urdhëruar një hetim "në nivelin më të lartë" për t’i gjetur me çdo kusht syzet e liderit shpirtërot indian.
n.e/NOA