Brenda vitit 2011, pritet të vihet në punë plan-veprimi i ri për kthimin dhe kompensimin e pronave. Një strategji e tillë, e cila është miratuar tashme me vendim të Këshillit të Ministrave, do të bëjë të mundur kompensimin financiar të ish-pronarëve në çdo kohë, madje edhe disa herë brenda një viti.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, theksoi në një intervistë se rëndësia e këtij plan-veprimi është mundësia për të patur një afat kohor për mbylljen e procesit kompensues.
“Plan-veprimi hyn në fuqi që këtë vit, që domethënë pjese e tij do të jetë çdo vendim që merret këtë vit, në lidhje me kompensimin e pronave, sikurse është regjistri dixhital, e të tjerat ne vazhdim. Ne do të kryejmë kompensim sa herë që të kemi një fond, pa pasur nevojë të presim vendime të përvitshme të Këshillit të Ministrave”, citohet Çefa nga Tv Klan.
Për sa i përket kompensimit financiar të këtij viti, Çefa konfirmoi se kërkesat nga ana e subjekteve ka qenë të larta dhe duke konsideruar dosjet e deritanishme, numri i përfituesit mund të shkojë deri në 200.
Në lidhje me kompensimin fizik, kreu i AKKP-së theksoi se do të duhen të paktën 3 vjet të tjera për të qartësuar fondin përfundimtar fizik, që do të shkojë për kompensim.
Plan-veprimi i ri i qeverisë për kthimin dhe kompensimin e pronave do të nisë të implementohet brenda këtij viti, ndërsa që nga janari i vitit 2013 kjo praktikë e re do të ekzekutohet.