Prishtinë, 15 Qershor 2011 NOA - Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë kryer bastisje në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim të qeverisë së Kosovës, për shkak të dyshimeve për korrupsion në dhënien e disa tenderëve gjatë vitit 2007 dhe 2009.
EULEX, përmes një komunikate dërguar mediave, ka njoftuar se ka bastisur edhe një kompani të quajtur “Fimex” dhe në dy adresa private. Përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe marrje ryshfeti me rastin e dhënies së tenderëve në periudhën 2007 dhe 2009 janë akuzat të cilat rëndojnë mbi këtë ministri.
Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi shpjegon se: “Në ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në një kompani private si dhe në dy banesa private. Bastisjet janë kryer ne kontekst të një hetimi për korrupsion. Akuzat kanë të bëjnë me përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe marrje e dhënie të ryshfetit”.
Sasha Rashiq, ish-ministër për Komunitete dhe kthim në periudhën nëntor 2008 dhe shkurt 2011, aktualisht zëvendësministër i Punëve të Brendshme, me ane të një komunikate ka reaguar se ai nuk ka qene ministër në periudhën për të cilën po zhvillohen hetimet.