Kryeministri pret nobelistin në mjekësi dhe fiziologji, me origjinë shqiptare, Ferid Murad
Tiranë, 15 Qershor 2011 NOA - Kryeministri Berisha priti dje në mbrëmje, nobelistin në mjekësi dhe fiziologji, me origjinë shqiptare, Prof. Ferid Murad. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se është nder i madh që një shqiptar merr çmimin Nobel.
Gjatë bisedës miqësore, Kryeministri vlerësoi kontributin e shquar të Prof. Murad në fushën e kërkimit e drejtimin shkencor, në mësimdhënie në mjekësi, në institucionet nga më prestigjiozet dhe eksperiencën e gjerë të tij në industri.
Zbulimet tuaja, - u shpreh Kryeministri - kanë ndihmuar e influencuar në mjekësinë kardiovaskulare, hipertensionin pulmonar në bebet premature, diabetin, kancerin dhe shumë sëmundje të tjera.
Ferid Murad u shpreh se kishte kënaqësi që, pas 12 vitesh nga vizita e tij e parë në Shqipëri, të shihte ndryshime të dukshme e të rëndësishme. Ai vlerësoi rolin e punën e qeverisë në gjithë fushat e në veçanti në atë të arsimit e mjekësisë.
Prof. Murad u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në kooperimet midis universiteteve shqiptare dhe universiteteve të ndryshme, për të mbështetur kërkimin shkencor, formimin dhe punën e shkencëtarëve shqiptarë dhe përparimin e shkencës në funksion të zhvillimit të vendit. Prof. Murad e njohu gjithashtu, Kryeministrin me punimet e kërkimet e tij më të fundit shkencore.
Kurse Kryeministri e njohu Prof. Murad me zhvillimet dhe reformat të mëdha në të cilat ka kaluar vendi nga viti 1992, kur si President i vendit i duhej të drejtonte reforma të rëndësishme për ta nxjerrë vendin nga kolapsi i plotë dhe i gjithanshëm.
Si rezultat i këtyre reformave dhe punës së madhe të shqiptarëve, Shqipëria, veçanërisht në vitet e fundit, ka shënuar ndryshime rrënjësore.
Në infrastrukturë, - tha Kryeministri – janë ndërtuar e rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë, që kanë shkurtuar ndjeshëm distancën jo vetëm veri-jug, por edhe me Prishtinën dhe tani po punohet për të shkurtuar me 100 kilometra distancën me Shkupin; si rezultat i politikave ekonomike dhe reformave fiskale janë rritur investimet; ku rritje kanë pasur edhe investimet e huaja në fushën e farmaceutikës; janë rritur pagat e pensionet në sektorë kritikë si në arsim, mjekësi.
Në fushën e arsimit, një vëmendje e veçantë, - theksoi Kryeministri - i është kushtuar cilësisë së arsimit, si dhe stimulimi e mbështetja financiare për nxënësit më të mirë për të ndjekur universitetet më prestigjioze në botë dhe më pas, përfitimi i kontributit tw tyre në vend, duke synuar të krijohet një atmosferë sa më e mirë për ta nëpërmjet programit Brain Gain. Kryeministri Berisha e njohu zotin Murad edhe me vlerësimin e Shqipërisë si një nga destinacionet kryesore turistike, nga agjencitë e huaja.
***
Në vitin 1998, Ferid Murad fitoi çmimin Nobel në mjekësi dhe fiziologji, si dhe është mbajtës i një seri çmimesh të tjera prestigjioze në këtë fushë.
e.t/NOA