English

Borxhet e vjetra ndaj Rusisë, Presidenti firmos kthimin

Tiranë, 15 qershor, NOA – Me anë të një dekreti të posaçëm, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zyrtarizuar kthimin e detyrueshëm të borxhit të vjetër që Shqipëria ka trashëguar nga koha e komunizmit, ndaj ish-Federatës Ruse.

Kështu, me anë të dekretit nr. 7016, në mbështetje të nenit 84, të Kushtetutës së Shqipërisë, Topi dekretoi shpalljen e ligjit nr.10 427, datë 02.06.2011 “Për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Federatës Ruse për përmbushjen e detyrimeve financiare për balancat e llogarive të korporatës shtetërore “Banka e Zhvillimit dhe Veprimtarisë Ekonomike me Jashtë (Vneshekonombank)” te Banka e Shtetit Shqiptar”.

Sipas të dhënave, Shqipëria ka një borxh total ndaj ish-Federatës Ruse, në vlerën e 35 milionë dollarëve.

Ndërsa bëhet fjalë për shumën rreth 1 milionë dollarëve që Shqipërisë do t’i duhet të paguajë si këst të parë.

Kjo si pjesë e një borxhi të vjetër, i cili daton në mes të viteve ’60-të, i trashëguar nga epoka sovjetike.

Ky borxh i vjetër i Shqipërisë, i njihet tashmë Rusisë, si një pasues i Bashkimit Sovjetik dhe merret përsipër të paguhet gjatë viteve të ardhshme.

Në rast të mospagesës së shumës nga data 1 korrik, marrëveshja parashikon që norma e interesit të borxhit të jetë në nivelin prej 4%.

Ndërkaq, mediat ruse shtojnë faktin se mungesa e borxheve mes dy shteteve tona, është një nga parakushtet për një marrëveshje të mundshme për furnizime me makineri dhe produkte teknike nga Rusia në Shqipëri.

n.e/NOA

KOMENTE