English

Greqia “përmbytet” nga protestat (VIDEO)

Protestuesit në sheshin qendror të Athinës, Sintagma kanë sulmuar Ministrinë e Financave me bomba molotov dhe janë përleshur me policinë, në ditën e grevës së përgjithshme të thirrur nga sindikatat.

Dhjetëra mijëra demonstrues të grevës së përgjithshme kundër programit qeveritar të kursimeve shtesë prej 28 miliardë eurosh janë mbledhur para parlamentit, të rrethuar që në mëngjes në mënyrë simbolike nga protestues të lëvizjes së të revoltuarve.

Kryeministri Papandreu u prit në një takim të jashtëzakonshëm nga presidenti i vendit Papulias. "Besoj dhe vlerësoj se është në të mirën e interesave të vendit konsensusi kombëtar” deklaroi Papandreu para takimit dhe bëri fjalë për “momente historike kritike” që po kalon vendi.

Greva e përgjithshme 24 orëshe nisi në shenjë proteste kundër programit të ashpër të kursimeve të qeverisë socialiste në Greqi. Mjetet e komunikacionit kanë ndërprerë qarkullimin dhe ministritë, institucionet shtetërore dhe shumë banka janë mbyllur, spitalet trajtojnë vetëm rastet emergjente.

Nisur nga sezoni i turizmit, kontrollorët e trafikut ajror nuk marrin pjesë në grevë. Qeveria e kryeministrit Jorgos Papandreu dëshiron që përmes shkurtimeve të buxhetit deri në 2015 të përfitojë 78 miliardë euro nga rritja e tatimeve dhe nga privatizimi i pronave shtetërore. Si kusht për kthimin e ndihmave ndërkombëtare prej miliardash euro Athina është e detyruar të bëjë kursime dhe reforma.

96

KOMENTE