English

Greqia: Shkupi po provokon me Aleksandrin e Madh

E mërkurë, 15 qershor 2011, NOA- Autoritetet greke kanë reaguar lidhur me vendosjen e përmendores së Aleksandrit të Madh në sheshin e Shkupit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Athinë, Grigoris Delavekuras theksoi se është informuar bashkësia ndërkombëtare për politikën e tillë të kryeministrit të Shkupit, Nikolla Gruevski, i cili me përmendore provokative po rrënon marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.

“Kjo politikë paraqet shkelje të frymës së Marrëveshjes së Përkohshme, ajo është politikë provokative dhe për tu dënuar, që rrënon marrëdhëniet dypalëshe dhe dëmton procesin e negociatave për emrin nën patronazhin e OKB-së”, deklaroi Delavekuras.

Sipas tij, vendosja e përmendores gjigante të ashtuquajtur “Luftëtari në kal” do të reflektohet edhe në aspiratat euroatlantike të Shkupit.

Mediat greke bëjnë të ditur se kjo situatë e fundit në Shkup do të shtyjë procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit nga pala greke dhe se këtë do ta shfrytëzojë kryeministri dhe lideri i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, për të rritur çështjet përballë oponentëve të Demokracisë së Re.

BBC raportoi se vendosja e Aleksandrit në sheshin e Shkupit në mënyrë plotësuese do të rris tensionet midis dy vendeve. “Herald Sun” shkruan se vendosja e kësaj përmendoreje shkakton nervozizëm tek grekët, pasi që Aleksandri i Madh vlerësohet si hero grek. (INA)/NOA

KOMENTE