Prishtinë, 15 qershor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga priti në një takim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.
Gjatë takimit Peci e njoftoi Presidenten me punën e Këshillit Gjyqësor dhe me angazhimet e tij në fushën e gjyqësisë në Kosovë, duke shtuar se Këshilli Gjyqësor ka një bashkëpunim të mirë me institucionet e tjera të drejtësisë në Kosovë.
Nga ana e saj Presidentja Jahjaga theksoi se niveli i demokracisë dhe funksionimi i sistemit gjyqësor në Kosovë varet kryesisht nga puna e gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët tha ajo duhet të jenë të paanshëm, të ndershëm dhe të pakompromis në zbatimin e ligjit.
Ajo u shpreh se Këshilli Gjyqësor luan rol kyç në përzgjedhjen dhe caktimin e gjykatësve që duhet bërë me kritere profesionale, bazuar në etikën e profesionit dhe në respektimin e kritereve të përfaqësimit nacional dhe gjinor.
Sipas saj pavarësia dhe paanësia e sistemit gjyqësor është një nga shtyllat e demokracisë në vend.
a.y/NOA