English

KiE, Jagland letër Berishës: Për vendimin e Kolegjit do pyes Komisionin e Venecias

Bruksel, 15 qershor 2011, NOA – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjorn Jagland ka shprehur dje shqetësimin mbi situatën politike në Shqipëri, të rënduar tejet pas polemikave mbi zgjedhjet vendore për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Këtë shqetësim Jagland e ka shprehur përmes një letre të dërguar mëngjesin e 14 qershorit kryeministrit Sali Berisha.

Detaje të letrës u bënë publike dje në raportin e Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule në Komitetin e Stabilizim-Asociimit të Parlamentit Europian.

Jagland shprehet në letër se shumë shpresonin se zgjedhjet vendore të 8 majit do të vendosnin standarde të reja në zhvillimin e zgjedhjeve si dhe për përgjegjshmërinë e liderëve politike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, shpresa që sipas tij u përforcuan ditën e votimit që shkoi pa probleme.

Sekretari i Përgjithshëm i KiE-s thekson më tej se për fat të keq Shqipëria tashmë po përballet me një situatë të acaruar dhe me ndarje politike.

Sipas Jagland këto ndarje mund të kërcënojnë funksionimin e institucioneve demokratike, qeverisjen e mirë dhe progresin e mëtejshëm ekonomik.

Duke shprehur miqësisht shqetësimin e tij Jagland i bën apel kryeministrit Berisha dhe liderëve të forcave të tjera politike të hyjnë menjëherë në dialog të sinqertë për të kapërcyer ngërcin politik.

E në këtë linjë, Sekretari i përgjithshëm i KiE-s Thorbjorn Jagland shprehet se për bazën ligjore mbi të cilën është marrë vendimi i Kolegjit Zgjedhor ai do të kërkojë personalisht opinionin e Komisionit të Venecias, me qëllim që të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme.

Por, letra e dërguar nga KiE nuk është bërë publike dje nga kryeministri i vendit Sali Berisha.

Pritet që kjo letër bashkë me apelin e komisionerit për Zgjerimin në BE të komentohen sot nga klasa politike në vend.

mit/NOA

KOMENTE