English

Ministri i Arsimit ha mëngjes me studentët në mencë

Prishtinë, 15 Qershor 2011 NOA - Pas vizitës që i ka bërë Konviktit nr.7, i cili pritet të jetë i gatshëm për banim më 1 tetor, kur edhe fillon viti i ri akademik, ministri Ramë Buja ka ngrënë sot edhe mëngjesin me studentët në Mensën e Studentëve.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me bashkëpunëtorë, ka vizituar sot Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP), ku është njohur me punët që po kryhen rreth ndërtimit të Konviktit nr.7.

Ministri Buja është pritur nga drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, ndërsa është shoqëruar edhe nga udhëheqësi i kompanisë, e cila po bën ndërtimin e këtij konvikti, Nebi Zariqi.

Pas një vizite nëpër ndërtesë, ku tashmë ka përfunduar ndërtimi i vrazhdë, ministri Buja në një prononcim për media tha se këtë vizitë po e bën me kënaqësi të madhe. “Është mirë kur vjen në një ambient ku ka rezultate”, theksoi ministri, ndërsa përmendi faktin se që nga vitet e 80-ta, në këtë hapësirë nuk është bërë asnjë investim. “Por, dy vitet e fundit këtu është ndërtuar Konvikti nr.6 dhe është duke u ndërtuar edhe Konvikti nr.7”, tha ministri Buja.

Duke folur për rëndësinë e këtij ambienti ku jetojnë një pjesë e studentëve të UP-së, ministri Buja theksoi se kjo është edhe qendra ku në vazhdimësi kanë buruar të gjitha të mirat e këtij vendi.

“Kjo Qendër, e ka zemrën e hapur, sepse ofron vende për fëmijët e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, për fëmijët, familjet e të cilëve janë nën asistencë sociale...”, tha ministri i Arsimit.

Ndërsa, drejtori Fatmir Sfishta, pasi që shprehu kënaqësinë për vizitën e ministrit për një kohë të shkurtë pasi që ai ka marrë detyrën si ministër i Arsimit, tha se Konvikti nr.7, i cili ka kapacitet për më shumë se 400 shtretër, do të mund të jetë i gatshëm për banim me 1 tetor, kur edhe fillon viti i ri akademik.

Ministri Buja, më pas ka vizituar edhe Mensën e Studentëve, ku ai ka pritur në radhë për të marrë mëngjesin, të cilin e ka ngrënë në mesin e studentëve, ndërsa ka marrë edhe mendime nga banuesit e Qendrës rreth cilësisë së ushqimit dhe kushteve të banimit aty.

Krejt në fund të vizitës, ministri Buja është takuar edhe me stafin e Qendrës së Studentëve, të cilët i ka përgëzuar për punën e tyre të palodhshme në shërbim të studentëve. “Kushtet e mira në Qendrën e Studentëve, na bëjnë që të jemi më serioz në studime, prandaj ajo që i përket Ministrisë së Arsimit, nuk do t’i mungojë kurrë Qendrës, në të mirë të cilësisë dhe krijimit të kushteve sa më të mira.

a.b/NOA

KOMENTE