Deri sa të ketë parti dhe lider shqiptar që nuk e kanë kuptuar se fuqia politike e tyre nuk matet pa hequr diçka nga lakmia personale për pushtet, do të ketë, në anën tjetër, edhe politikanë maqedonas që do të ofrojnë favore të pakufishme për kënaqjen e ambicieve dhe karrierave personale të përfaqësuesve shqiptarë
Emin Azemi*
“A e ngut bre shka tha mbramë Latasi”, i thotë një myshteri bashkëfolësit të tij prapa shpindës time tek po qethesha te berberi. I shumëdituri, i kudondodhuri dhe i pashmangshmi i të gjitha kohërave brenda këtyre 20 vjetëve, Latasi, atë ditë ishte bërë objekt muhabetesh edhe në një rrojtore të Shkupit, ndërkohë që heshtja e politikanëve shqiptarë po e bën punën e vet. Latasi kishte zëvendësuar zëdhënësit gojëmbyllur partiakë, kurse myshterinjtë e rrojtores ishin bërë konsumues të “fetvave” të tij. Në moment, nuk e di se prej nga më erdhi në mendje titulli i një libri problematik i një shkrimtarri serb - “Kohë të leshta”, nga vitet e tetëdhjeta dhe s’kisha si të mos e vë në kontekst atë libër me muhabetin e kuvendarëve të rrojtores të cilët i kishin përzier komentet e tyre me leshin që binte pamëshirshëm në dyshemenë e rrojtores, atje tek skicohej portreti i një palo gazetari që paradite e merr mëditjen në qeveri, pasdite merr honorar në gazetë, kurse natën vonë- rrogën në televizion.
Në këto kohët tona të leshta njeriu nuk e di se kush e bën politikën, e kush gazetarinë. Që situata të jetë më tragjikomike, të gjithë i curravin veshët dhe heshtin pas këtyre baglosjeve të këtij palo gazetari, sepse sikur e dijnë që ai është në njëfarë dore kreatori i inxhinjeringut publik të qeverisë në ikje. Në anën tjetër, dalja kaq transparente e papagallit qeveritar me teza shumë të qarta politike dhe aspak të koduara, flet për moralin e dyfisht të punëdhënësit të tij, i cili ka vendosur që edhe në këtë tur bisedimesh për formimin e qeverisë së re të përdor maniret e bixhozxhinjëve, duke lënë nën tavolinë jo vetëm letrat por edhe moralin politik e qytetar.
Edhe sa kohë duhet të shkojë që liderët tanë, në vend se të shikojnë lart, ende e mbajnë kokën poshtë, me shikim tek pika ku mund të fiksohen letrat e panjohura të kryenegociatorit maqedonas.
Të gjithë e kemi të qartë se në çdo bisedë paraprake fillimisht në tavolinë hidhen kërkesat që konsiderohen “rritje pazari”, por me kalimin e kohës qëndrimet “hekurosen”, kurse “pazari” bëhet deri diku i kapshëm për të dyja palët. Atë që nuk e kemi të qartë tani për tani është se cila është vija e kuqe përtej së cilës nuk do të lejohet “pazarllëku” për formimin e koalicionit të ri qeverisës. Mund të kërkohen edhe poste, edhe mbyllje të rasteve të Hagës, edhe përdorim më kualitativ të gjuhës shqipe dhe flamurit shqiptar, por ende nuk po vërejmë në sipërfaqe një vendosmëri politike të politikanëve shqiptarë për të krijuar mekanizma afatgjata që do të siguronin qëndrueshmëri të marrëveshjeve dhe zbatim korrekt të tyre.
Nëse në të kaluarën është thënë e stërthënë se fatet e këtij vendi ndodhen edhe në duart e shqiptarëve, kësaj here duhet brohoritur pa hezitim se e ardhmja e kësaj qeverie, që pritet të formohet, varet më fuqishëm se kurdoherë më parë, nga partitë më të mëdha politike shqiptare. Deri sa të ketë parti dhe lider shqiptar që nuk e kanë kuptuar se fuqia politike e tyre nuk matet pa hequr diçka nga lakmia personale për pushtet, do të ketë, në anën tjetër, edhe politikanë maqedonas që do të ofrojnë favore të pakufishme për kënaqjen e ambicieve dhe karrierave personale të përfaqësuesve shqiptarë. Në këtë garë të pamëshirshme për të arritur cakun, patjetër që do të fitojnë ata të cilët politikën e përdorin më shumë për interesa të ngushta personale e grupore, e më pak kolektive.
Prandaj, është e udhës të dijmë si të mbijetosh në kohë të leshta.
*Dërguar nga autori, kryeredaktor i gazetës “Fakti” në Shkup