Tiranë, 15 qershor 2011 NOA- Arsimi shqiptar ka nevojë jetike për thellim të kërkimit shkencor, veçanërisht në mjekësi. Në këtë konkluzion kanë arritur presidenti Topi dhe nobelisti me origjinë shqiptare Ferid Muradi, gjate takimit në presidencë.
Kreu i shtetit vlerësoi përkushtimin dhe arritjet e Dr. Muradit në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, të cilat kanë merituar njohjen e bashkësisë së shkencëtarëve dhe mjekëve në mbarë botën. “Për të gjithë të rinjtë shqiptarë që ua kanë kushtuar studimet e tyre mjekësisë dhe kërkimeve shkencore, pa të cilat nuk mund të mendohet zhvillimi i një vendi e i një populli, një shembull i tillë vullneti dhe vendosmërie profesionale shërben si një model dhe motiv i fortë për punën e tyre në të ardhmen”, – u shpreh presidenti Topi.
Nga ana e tij, Dr. Muradi falënderoi Presidentin Topi për mikpritjen, duke shprehur gjithashtu kënaqësinë e veçantë për takimin si dhe duke përshëndetur ndryshimet rrënjësore dhe arritjet e mëdha që ka shënuar Shqipëria gjatë dekadave të fundit. Kryetari i Shtetit dhe novelisti Muradi theksuan domosdoshmërinë e arsimimit të brezit të ri të shkencëtarëve shqiptarë dhe thellimit të kërkimit shkencor, veçanërisht në fushën e mjekësisë, duke vënë në dukje rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor, sigurimet shëndetësore, investimet në këto fusha si dhe përsosja e mëtejshme e kërkimit shkencor për mirëqenien e qytetarëve shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre.
a.q/NOA