Në këto kohë, të vështira dhe të paparashikueshme, por plot me shpresë, bota ka nevojë që Turqia dhe BE të punojnë së bashku. Kjo nuk do të thotë takime herë aty e herë këtu për të trajtuar probleme të caktuara. Do të thotë diçka shumë më të thellë dhe të mirëpërkufizuar.
Nga Javier Solana
Vetëm pesë muaj më parë, Osama bin Ladeni ishte gjallë, Hosni Mubaraku ishte në kontroll të patundur në Egjipt dhe Zine el-Abidine Ben Ali mbretëronte në Tunizi me dorë të hekurt. Sot rebelimet popullore dhe ndryshimet politike kanë përfshirë rajonin. Kemi qenë dëshmitarë të represionit brutal të protestave në Siri dhe Jemen, të trupave saudite që kalonin kufirin e Bahreinit dhe një beteje në vazhdim në Libi.
Për Europën “Pranvera arabe” duhet të rifokusojë vëmendjen te një çështje e anashkaluar me milje gjatë muajve të fundit: benefitet e anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE. Duke parë mundësitë e mëdha të paraqitura nga rrethanat aktuale, avantazhi europian i pranimit të Turqisë duhet të jetë i qartë.
Kur Recep Tayyip Erdogan ka fituar një mandat si Kryeministër i Turqisë dhe Polonia, një vend familjar me rëndësinë e pozicionit strategjik të Europës në botë, merr presidencën e BE-së në fund të këtij muaji, është koha për Brukselin dhe Ankaranë të “rinisin” negociatat për anëtarësimin e Turqisë.
E mira që Turqia mund t’i sjellë Europës ishte e dukshme edhe përpara ‘Pranverës arabe’. Europa është, në thelb, kulturalisht diverse, kështu që diversiteti është fati i Europës. Dhe nëse Europa do të bëhet një fuqi aktive globale dhe jo një muzeum, ka nevojë për perspektivën e freskët dhe energjinë e popullit turk.
Europa e sotme është më e madhe dhe më e ndryshme krahasuar me Europën e vitit 1999, kur Turqia u ftua të fillonte procesin e anëtarësimit. Gjithashtu, i është nënshtruar një krize ekonomike të thellë, e cila shpërtheu në të njëjtën kohë me miratimin e Traktatit të Lisbonës, synimi i të cilit ishte shtrimi i rrugës për zgjerimin e BE-së. Nëse Traktati do të ishte miratuar në vitin 2005, siç pritej, do të kishte qenë në fuqi 6 vjet dhe shtrëngesa e krizës mbi qeverisjen e ekonomisë së BE-së - kaq e dukshme në problemet aktuale të eurozonës - do të ishte shumë më lehtë e menaxhueshme.
Por BE-ja gjithnjë përballet me probleme, i zgjidh ato dhe vazhdon përpara. Sot ne nuk kemi një thesar, por jemi pranë të paturit të diçkaje të ngjashme. Ngjashëm Banka Qendrore Europiane sot ka kapacitete që as nuk imagjinoheshin në, le të themi, vitin 1997.
Një sfidë e madhe që Europa ende duhet të përballojë është emigracioni, i cili vetëm sa do të bëhet një problem më i madh me kalimin e kohës. Nga tani e deri në vitin 2050, krahu europian i punës do të ulet me 70 milionë. Ruajtja e ritmit ekonomik kërkon emigracion dhe kufij të hapur të BE-së - dhe përballja me lëvizjet populiste në Europë që duan të shmangin “të jashtmit”.
Turqia e ditëve tona gjithashtu ka ndryshuar rrënjësisht që nga vitit 1999, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht dhe kjo është e lidhur ngushtë me procesin e pranimit në BE. Në fakt, pa tërheqjen e BE-së - fuqinë e saj të butë - ndryshime të tilla nuk do të ndodhnin kurrë.
Ekonomikisht Turqia tani është në G20 dhe po luan një rol efektiv. Edhe politikisht Turqia është ngritur si lider rajonal, një rol që e merr me seriozitet të jashtëzakonshëm.
Me zgjedhjet parlamentare të sapopërfunduara dhe me një Kushtetutë të re që pret të miratohet, Turqia po i afrohet një momenti epokal. Kam qenë anëtar i Komisionit Kushtetues spanjoll që hartoi Kushtetutën spanjolle në vitet 1975 dhe 1976, pas vdekjes së Frankos, kështuqë e di çdo të thotë të shkosh nga diktatura në demokraci - dhe se sa e rëndësishme është që Kushtetuta të jetë e rrethuar me konsensus.
Marrëdhënia BE-Turqi filloi me një pakt asociimi të firmosur në vitin 1963. Tani negociatat e pranimit kanë filluar dhe 35 kapituj që mbulojnë gjithçka; nga bujqësia te energjia, konkurrenca, mjedisi, punësimi, politikat shoqërore dhe përtej, duhen hapur. Janë hapur ndërkohë 19 kapituj - më pak sesa do të dëshironim. Por problemi thelbësor është se ne kemi përfunduar vetëm një dhe, më keq ende, ritmi i negociatave ka rënë. Në fakt, në gjysmën e dytë të vitit 2010 asgjë nuk ndodhi. Shpresoj se ky ndryshim thelbësor do të vijë gjatë vitit 2011.
Turqia dhe BE-ja kanë nevojë për njëri-tjetrin. BE përbën 75 për qind të investimeve të huaja në Turqi dhe përafërsisht gjysmën e eksporteve të saj dhe turizmin e brendshëm. Gjithashtu, siguria energjetike e Europës varet te bashkëpunimi me Turqinë sa i takon kalimit tranzit të naftës dhe gazit natyror nga Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme. Ne kemi nevojë edhe politikisht për njëri-tjetrin. Lagjja e Turqisë është edhe lagjja jonë; problemet e saj janë edhe tonat. Benefitet e sigurisë dhe avantazhet strategjike për BE-në me Turqinë si anëtare do të jenë shumë, duke filluar që nga marrëdhënia ndërmjet Turqisë dhe NATO-s, anëtare e së cilës Turqia ka qenë për shumë kohë. Gjithashtu, përfshirja e BE-së në problemet aktuale në rajonin e Mesdheut do të ishte shumë më e lehtë në bashkëpunim me Turqinë. Në Bosnje-Hercegovinë, bashkëpunimi BE-Turqi është thelbësor në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Në vitin 1999 Turqia nuk donte të bëhej kandidate për anëtarësim, sepse udhëheqësit e saj mendonin se kushtet ishin shumë të ashpra. Kam qenë atje; kam folur me kryeministrin Bulent Ecevit, në mesnatë; më pas me presidentin Sulejman Demirel. Dhe, dy ditë më vonë Ecevit ishte në Helsinki për të shpallur zyrtarisht dëshirën e Turqisë për t’u bërë një anëtar i BE-së. Dhe thamë: Turqia do të jetë një anëtare e BE-së. Unë e mbështeta firmosjen e atij dokumenti; do të bëja të njëjtën gjë edhe sot.
Në këto kohë, të vështira dhe të paparashikueshme, por plot me shpresë, bota ka nevojë që Turqia dhe BE-ja të punojnë së bashku. Kjo nuk do të thotë takime herë aty e herë këtu për të trajtuar probleme të caktuara. Do të thotë diçka shumë më të thellë dhe të mirëpërkufizuar. Do të thotë pranim të Turqisë në BE. Kjo është ëndrra ime dhe unë do të vazhdoj të luftoj për ta kthyer në zhgjëndërr.
*Ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ish-Përfaqësues i Lartë për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë në BE